Main Article Content
Abstrakti
Pas stabilizimit të statusit juridik të shtetit shqiptar, me deklaratën e Fuqive të Mëdha të 9 nëntorit 1921, në Shqipëri, ashpërsohet lufta për pushtet. Politikanë, intelektualë e nacionalistë, vunë në funksionim mekanizmat e marrjes së pushtetit në forma legjitime dhe jo legjitime. Për këtë u përdorën kauza ose parulla të tilla si: çështja e Kosovës, çështja e reformave, evropianizimi i vendit, reforma agrare, madje një çështje më vete, ishte dhe rrëzimi i Ahmet Zogut, i etiketuar si diktator. Lëvizjet antiqeveritare, shoqëroheshin me ashpërsimin e ballafaqimit politik në parlament ose shtyp, e më pas përfundonin me dyndje kryengritësish të armatosur në Tiranë. Në krye të tyre ishin Elez Isufi, Bajram Curri, Zija Dibra etj., por padyshim, truri i tyre ishin politikanët opozitarë. Ky përfundim bazohet në tonalitetin opozitar në parlament e shtyp ndaj qeverisë konservatore, si dhe në korrespondencën e tyre me mbështetësit respektivë. Të gjitha këto lëvizje, kishin karakter antiqeveritar, në kuptimin që synonin rrëzimin nga pushteti të forcave politike që qeverisnin Shqipërinë, edhe pse këto ishin të zgjedhura rregullisht nga votuesit.