Main Article Content
Abstrakti
Për jetën e shtetit të pavarur shqiptar, e cila filloi pas Shpalljes së Pavarësisë më 1912, janë botuar libra, monografi historike, politike, ekonomike, arsimore e kulturore. Midis tyre zë një vend të rëndësishëm edhe libri i Teki Selenicës me titull “Shqipëria më 1927”, i botuar para 80 vjetësh.
Duhet thënë që në fillim se për nga informacioni që sjell kjo vepër, për nga metoda shkencore që ka përdorur autori në hartimin e këtij libri, si dhe për nga vështirësitë e realizimit të botimit, në kushtet teknike të kohës në Shqipëri, – libri “Shqipëria më 1927” përbën një vepër shumëdimensionale të karakterit të mirëfilltë shkencor dhe një burim të pazëvendësueshëm historiografik për të gjithë studiuesit që merren me studime për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në tërësinë e tij, libri mund të duket i zakonshëm, në përqasje me botime të tjera të kësaj natyre, por, për nga larmia dhe besueshmëria e informacionit nga të gjitha fushat e jetës shqiptare të kohës, përbën një veçori të dukshme qartë me vlera të përhershme burimore.
Për nga lënda që shtjellohet në këtë libër, si në formë e në përmbajtje, ai nuk qëndron aspak prapa botimeve të tilla të shteteve moderne të kohës. Autori është mbështetur fuqimisht, siç e ka thënë edhe vetë në parathënie, pikërisht në veprat e autorëve më të njohur të vendeve të zhvilluara perëndimore, shembull orientues edhe për shtetin shqiptar. Këtë e tregon më së miri lista e botimeve bibliografike të njohura e me autoritet, të autorëve vendas dhe të huaj, që nga Sami Frashëri, Mit’hat Frashëri, Lef Nosi, Kosta Çekrezi, Fan Noli, Turhan Pasha e deri tek Degrand, Herbert, Luis, Godard, Ugolini, Rei, Jorga etj., si dhe mjaft botime dokumentare ndërkombëtare.