Main Article Content
Abstrakti
Në gjysmën e dytë të vitit 1943 gjendja politike ushtarake e
pushtuesit italian në Shqipëri, karakterizohej nga një krizë e gjithanshme,
e cila kishte përfshirë të gjitha shtresat dhe forcat politike shqiptare.
Rritja e qëndresës dhe rezistencës së shqiptarëve kundër pushtuesit, i
kishte imponuar këtij të fundit, shtimin e dhunës ndaj shqiptarëve, si
mjetin e vetëm për t’i nënshtruar. Situata e krijuar në ballafaqimin e
shqiptarëve me pushtuesin, kishte çuar në kompaktësimin e shqiptarëve
në një front antiitalian. Në këtë kuadër edhe forcat politike të rezistencës
shqiptare, po shkonin drejt një bashkëpunimi midis tyre, për të realizuar
detyrën themelore, të çlirimit të vendit. Por, pikërisht në këto rrethana të
favorshme për luftën kundër pushtuesit, situata politike mori një drejtim
që minoi bashkimin e shqiptarëve drejt një qëllimi të vetëm - çlirimin e
vendit.
Shqyrtimi i ngjarjeve e proceseve historike në 6-mujorin e dytë të
vitit 1943, përbën dhe objektin e këtij shkrimi.
