Main Article Content
Abstrakti
Sikurse dihet, Konferenca e Paqes e Parisit, e viteve 1919-1920, u organizua nga pesë Fuqitë e Mëdha fituese, Britania e Madhe, Franca, SHBA, Italia dhe Japonia, për të zgjidhur me vendimmarrjen e tyre problemet politike e territoriale, të krijuara nga zhvillimet në rrjedhat e Luftës së Parë Botërore.
Edhe pse nuk kishte qenë palë me asnjërin nga krahët ndërluftues, Shqipëria u ndodh në një situatë shumë të vështirë që kërcënonte ekzistencën e saj. Jo vetëm nuk kishte gjasa të korrigjoheshin padrejtësitë e së kaluarës, të kryera më së fundi në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), por një traktat i vitit 1915, pikërisht Traktati i Fshehtë i Londrës i 26 prillit 1915, i nënshkruar nga Fuqitë e Antantës me Italinë, për ta joshur këtë në anën e vet, rrezikonte ta asgjësonte shtetin e brishtë shqiptar të krijuar vetëm disa vjet më parë.