Main Article Content
Abstrakti
Nevoja e ndërmarrjes së studimeve ndërdisiplinore në hulumtimin
historik bëhet gjithnjë e më e theksuar me shtimin e të dhënave
shkencore të disponueshme të cilat shpien në sinteza gjithnjë e më të
sakta të dukurive historike. Në këtë punim, si rast studimi kemi
zgjedhur fiset Krasniqe dhe Nikaj si dy ndër fiset më të mëdha
shqiptare, prej të cilave kemi mbledhur 23 mostra për sekuencim
gjenetik. Të dhënat gjenetike mbështesin një sërë të dhënash të tjera
të karakterit historik, etnografik, antropologjik dhe njëkohësisht
shërbejnë si pasurim i mëtejshëm i historisë së këtyre fiseve dhe si
plotësim i mozaikut të të dhënave mbi popullatat apo fiset që përbëjnë
etninë shqiptare. Rezultatet tregojnë se vëllazëritë kryesore të të dy
fiseve kanë prejardhje të përbashkët në vijë atërore, dhe se vëllazëritë
e Krasniqes lidhen më afër mes tyre se me ato të Nikajve. Gjithashtu,
anëtarë të të dy fiseve trashëgojnë një haplogrup karakteristik për
shqiptarët e Veriut, i cili lidhet edhe me disa rezultate të lashta nga
rajoni. Të dhënat gjenetike duke u trajtuar dhe përdorur në cilësinë e
burimit historik, shërbejnë për historicizimin e të dhënave të
mjegulluara nga koha dhe të parikthyeshme përmes metodave
tradicionale historiografike.
