Main Article Content
Abstrakti
Në komunitetin e studiuesve dhe për publikun vendas e të huaj, prof.
Kambo është e njohur si specialiste e historisë së arsimit shqiptar pas Luftës së
Dytë Botërore, tematikë të cilës ajo i ka kushtuar deri tani 3 monografi dhe një
varg artikujsh shkencorë e kumtesash të botuar brenda e jashtë kufijve të
Shqipërisë.
Të shkruash për arsimin shqiptar në vitet ‘60-’70 pas një distance kohore
pothuajse gjysëm shekulli, mendoj se është një kohë e mjaftueshme për të
perceptuar drejt strategjinë e shkollës shqiptare në të gjitha nivelet dhe llojet e
saj, për të dalluar kulmet, uljet e ngritjet në këta vite, si dhe për të vlerësuar me
objektivitet e korrektesë shkencore çfarë u bë mirë, çfarë mund të bëhej edhe
më mirë dhe çfarë nuk u arrit të bëhej. Përpjekjet serioze të autores Kambo për
ta parë ecurinë e shkollës shqiptare nëpërmjet disa optikave dhe
këndvështrimeve, janë të dukshme. Profesore Kambo ka arritur të na japë një
tablo plot kontraste të procesit mësimor në vitet ’60-’70, të masivizimit të
arsimit shqip si në qytete ashtu dhe në fshatra, të shtimit të numrit të shkollave
e të mësuesve deri te hapja e Universitetit Shtetëror të Tiranës, të karakterit
shkencor të përmbajtjes së mësimit, ashtu siç e ngërthen të tërë këtë proces me
ndërhyrjet e drejtpërdrejta e të tërthorta të politikës, duke na servirur një varg
dokumentesh për vendimet e plenumeve të KQ PPSH, të Byrosë Politike të
PPSH, të organizatave të rinisë e të një varg levash të tjera që formonin
mekanizmin e fuqishëm të pushtetit politik ndaj arsimit.
