Main Article Content
Abstrakti
Revolucioni xhonturk i 3 korrikut 1908 hapi “kutinë e Pandorës” në Perandorinë Osmane. Aspak unikë për rrugën që duhej ndjekur për shëndoshjen e “të sëmurit të Bosforit”, turqit e rinj, në shumicën e tyre, vlerësuan politikën e centralizimit, të dorës së fortë dhe të ideologjisë panosmane, si shtegun nga duhej kaluar për të shmangur shkatërrimin. Por ishte pikërisht ky shteg që çoi në kolaps e pas 4 vjetësh në shembjen e Perandorisë. Të lejohej Kushtetuta, të krijohej parlament, të lejohej arsimimi në parim në gjuhën amtare, të tolerohej pluralizmi politik e mediatik dhe, nga ana tjetër, të luftohej për panosmanizmin, për vendosjen e “rregullit” të rreptë edhe aty ku qeveria nuk ofronte asnjë përmirësim konkret të kushteve të jetës, të ndërhyhej me çdo mënyrë për të penguar aspiratat nacionale, deri edhe në çështje të alfabetit, duke përdorur shpesh e me më pak takt se më parë dhunën ekstreme, të bëje pra bashkë të gjitha këto, ishte po aq e pamundur sa edhe të njësoje pole të kundërt.
