Main Article Content
Abstrakti
Në Statutin e PPSH të vitit 1948, Byroja Politike e Komitetit Qendror rezultonte si organi më i lartë përgjegjës “për punën politike dhe për udhëheqjen e përgjithshme të punës organizative të KQ”. Ky përcaktim i shkurtër ishte i mjaftueshëm për ta shndërruar Byronë Politike në strukturën më të lartë drejtuese të PPSH dhe të shtetit, si dhe në organin kryesor vendimmarrës dhe udhëheqës. Institucioni i Byrosë ekzistoi që në fillimet e PKSH/PPSH, por u rrit deri në njësim me shtetin gjatë dekadës së parë të periudhës së vendosjes së sistemit njëpartiak. Roli i Byrosë Politike u forcua ndjeshëm sidomos gjatë viteve `50, pas ndryshimeve kushtetuese, kur drejtuesi kryesor i PPSH-së, Enver Hoxha hoqi dorë nga posti i kryeministrit dhe funksionet e tjera ekzekutive duke mbajtur vetëm funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm e më pas, të Sekretarit të Parë të KQ të PPSH.
