Main Article Content
Abstrakti
Ky punim synon të japë një pasqyrë të përmbledhur të problematikave
në sistemin politik dhe përfaqësues të tranzicionit, si dhe të trajtojë
disa prej këtyre aspekteve të debateve mbi tranzicionin në funksion të
tezës se në rastin shqiptar, për shkak të ndikimit të faktorëve të
ndryshëm historikë, socialë dhe politikë, rezultatet e tij mund të
konsiderohen maksimumi i mundshëm që na ofron kjo elitë politike
dhe se për të njëjtat arsye, rikthimi i tranzicionit nga fillimi do të
mund të kishte sjellë rezultate të njëjta. Teza e hendekut të madh
midis perceptimeve e pritshmërive mbi bilancin e mundshëm të
tranzicionit dhe kapaciteteve e mundësive reale për ta arritur këtë
progres është plotësuese në këtë drejtim. Shqipëria e nisi
demokracinë pa pasur “demokratë”, sistemin shumëpartiak duke
pasur të vetmin model referimi sistemin njëpartiak, nuk pati bazë
ekonomike mikse dhe kushtëzuese ndaj vendimmarrjeve politike, si
dhe i dha mandat drejtimi një elite politike të formuar, të rritur dhe të
promovuar në një sistem të kundërt politik me modelin e shoqërisë së
hapur, për të cilin u angazhuan. Në funksion të tezave kryesore
studimi trajton elementet kryesore të sistemit përfaqësues, përfshin
tiparet dalluese me modelet e tjera, ndikimet e faktorit ndërkombëtar
dhe problematikat e përfaqësimit.
