Main Article Content
Abstrakti
Gjatë gjysmës së dytë të vitit 1990 debati mbi zgjedhjet, ligjin zgjedhor dhe konceptin e “pluralizmit të masave”1 u bënë tema dominuese në ligjërimin zyrtar dhe publik. Arsyet ishin të ndryshme nga përvojat e mëparshme. Debati vinte për shkak të detyrimit ligjor. Kuvendi Popullor i dalë nga votimi fiktiv i 1 shkurtit 1987, kishte zhvilluar punimet në seancë inauguruese më 19 shkurt 1987. Sipas Kushtetutës së RPSSH2, Kuvendi përbëhej nga 250 deputetë që zgjidheshin në zona zgjedhjeje me numër të barabartë banorësh. Kuvendi Popullor zgjidhet për një kohë prej katër vjetësh dhe zgjedhjet pasuese duhej të bëheshin “jo më vonë se tre muaj nga dita e mbarimit të mandatit të tij”. Zgjedhjet e radhës do të duhej të mbaheshin në shkurt 1991. Në respekt të këtij detyrimi ligjor, më 1 dhjetor 1990, Presidiumi i Kuvendit Popullor dekretoi shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin Popullor të Shqipërisë më 10 shkurt 1991.
