Main Article Content
Abstrakti
Në shumë libra historie, botuar gjatë regjimit komunist (1944-1991)
ose pas rënies së tij, organizimi i Kongresit të Përmetit, 24 maj 1944,
është trajtuar si një burim legjitimiteti për institucionet që dolën prej tij
ose ishin krijuar para tij, ndërsa legjitimiteti i vetë Kongresit buron,
bazuar në pretendimet e organizatorëve dhe narrativën historike, nga
“zgjedhjet demokratike”. Për autorin e librit Revolucioni Popullor në
Shqipëri dhe Çështja e Pushtetit (1977), Kongresi i Përmetit ishte “një
përfaqësi e zgjedhur demokratikisht brenda mundësive që lejonin
rrethanat e luftës”, i cili vendosi “ndërtimin e Shqipërisë së re
Demokratike popullore sipas vullnetit të popullit”. Në librin Historia e
Partisë së Punës së Shqipërisë (1981) thuhet se Kongresi u thirr për
“ligjësimin e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtarë”. Nga libri
Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar,
vëll. 4 (1989) rezulton që kongresi ka qenë “një kuvend i madh popullor”,
i cili “do të kishte karakter kushtetues”. Sipas librit Historia e Popullit
Shqiptar, vëll. 4 (2008), Kongresi i Përmetit ishte “një kongres
demokratik”, i ngjashëm “me mbledhje të tilla [që] në këtë kohë po
zhvilloheshin dhe në vende të tjera, në të cilat forcat demokratike ligjësonin ndryshimet e ndodhura deri atëherë në sajë të luftës kundër agresorëve nazifashistë.”
