Main Article Content
Abstrakti
Vizita e Hrushovit në Shqipëri u prezantua me pompozitet nga shtypi
shqiptar, por kohët e mira të miqësisë me Bashkimin Sovjetik e kishin
kaluar pikun e tyre. E planifikuar për vitin 1958, vizita u shty, nga ana e
sovjetikëve, dhe u bë në një kohë që i vlente më shumë Hrushovit sesa
shqiptarëve, të cilët kishin nisur tashmë të bënin lojë të dyfishtë në
marrëdhëniet me fuqitë brenda Kampit Socialist. Vizita, të cilën
udhëheqja komuniste e Shqipërisë nuk nguroi ta cilësonte “një kontribut
tjetër në forcimin e unitetit dhe kompaktësisë së kampit socialist”,
Hrushovit i interesonte për lojën e madhe ndërkombëtare, sepse e
prezantonte Kampin Socialist të unifikuar dhe BS të fortë, por drejtuesit e
Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH), pavarësisht entuziazmit
propagandistik, kishin tjetër gjë në mendje. Në kohën që Hrushovi
ndodhej në Shqipëri, Tiranën e vizitoi një delegacion ushtarak kinez i
nivelit të lartë, i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Pin De
Huaj. Ndërsa Hrushovi paralajmëronte nga Tirana vendet kapitaliste se,
nëse do të guxonin të preknin kufijtë e Shqipërisë, ata do të përballeshin
“me gjithë forcën e kampit të madh socialist”, regjimi shqiptar, përmes
gazetave të tij, brohoriste “Rroftë miqësia e vllazërimi i Ushtrisë
Popullore Shqiptare e Kineze!” Fakti që dy delegacionet u mbajtën të
veçuar dhe kryetarët e tyre u takuan, ka autorë që e komentuan si shenjë
të një politike të dyfishtë të Tiranës.