Main Article Content

Abstrakti

Goditja që iu bë klerit dhe fesë nga PPSH-ja në vitin 1967 shkaktoi një traumë sociale e kombëtare të pashembullt. Përpjekja për t’i defaktorizuar ata nga impakti shpirtëror, moral e social që kishin, duke i paraqitur si pjesë të zvetënuara, irracionale dhe reaksionare të shoqërisë ishte pjesë e një politike konsekuente për dobësimin e faktorit fetar, e cila kulmoi me atë që u quajt “revolucionarizimi i mëtejshëm i jetës së vendit”. PPSH-ja e adresoi sulmin e saj në shkatërrimin e të gjitha institucioneve, tempujve dhe infrastrukturës së klerit.
Lidershipi i saj nxiti e keqpërdori turmat e indoktrinuara ideologjikisht, kryesisht rininë shkollore, duke i dhënë lëvizjes në dukje formën e një shpërthimi spontan, por në të vërtetë e mirorganizuar. E paraqitur si lëvizje mbarëpopullore, e ngjashme për nga modeli me tubimet e gardistëve të kuq gjatë Revolucionit Kulturor në Kinë, ajo u orkestrua e gjitha nga PPSH-ja dhe drejtuesi i saj Enver Hoxha. Kjo lëvizje ishte në thelb politike. Ajo përfaqësonte, më së pari, goditjen e lirisë së ndërgjegjes si liri dhe e drejtë njerëzore, kushtetuese, e cila është mirëfilli e natyrës morale e shpirtërore.
Ndalimi i ritualeve e kremtimeve fetare, i zakoneve që ishin rrënjëzuar nëpër shekuj, denoncimi i fesë dhe i klerikëve të saj si gjoja “reaksionarë”, poshtërimi i tyre, rrënimi i institucioneve të kultit, asgjësimi i inventarit të tyre, përveçse nxori në syprinë keqpërdorimin e njerëzve nga ana e pushtetit dhe kthimin e tyre në turma destruktive, mundësoi krijimin e kushteve edhe për institucionalizimin nga pikëpamja kushtetuese të ateizmit në vitin 1976, duke e shpallur Shqipërinë vendin e vetëm ateist në botë.

Fjalëkyçet

Shtet, fe, komunizëm, rini, revolucion, liri.

Article Details

How to Cite
Papagjoni, Erjon. 2025. “Viti 1967 – Historia E Goditjes Së Organizuar Mbi Fenë Dhe Institucionet E Saj”. Studime Historike, no. 1 (October). https://doi.org/10.61773/n4eh6w16.

How to Cite

Papagjoni, Erjon. 2025. “Viti 1967 – Historia E Goditjes Së Organizuar Mbi Fenë Dhe Institucionet E Saj”. Studime Historike, no. 1 (October). https://doi.org/10.61773/n4eh6w16.

Share

References

  1. “Mua më ngjan se ideja e një perëndie personale është një koncept antropologjik, të cilin nuk mund ta marr seriozisht”, - thoshte Albert Ajnshtajni. “Unë gjithashtu nuk mund të imagjinoj ndonjë vullnet apo synim jashtë sferës njerëzore... Sjellja etike e njeriut duhet bazuar në mënyrë efektive te simpatia, edukimi, si dhe lidhjet dhe nevojat sociale”. Albert Ajnshtajn, “Religion and Science”, New York Times Magazine, November 9, 1930.
  2. Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, 1976, neni 37 (Tiranë: 8 Nëntori, 1976), 14.
  3. Luan Omari, Shteti i së drejtës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Botimi i dytë (Tiranë: Elena Gjika, 2004), 48.
  4. “A duhet feja jonë që është hyjnore, - shkruante Volter, - të mbretërojë përmes urrejtjes, përmes tërbimit, përmes shpërnguljesh, përmes grabitjes së të mirave, burgjeve, torturave, vrasjeve dhe përmes lutjeve për falje drejtuar Zotit për këta të vrarë? Sa më shumë që feja e krishterë është hyjnore, aq më pak i takon njeriut që ta komandojë; në qoftë se Zoti e ka bërë këtë fe, Ai do ta mbështesë atë pa ndihmën tuaj. Ju e dini se intoleranca prodhon vetëm hipokritë dhe rebelë: çfarë alternative e kobshme! Së fundi, a do të donit ju të mbështeteni te xhelatët për fenë e një Zoti, që u vra prej tyre dhe që predikoi vetëm butësinë dhe durimin?”. Francois Maria Oruet-Voltaire, Traktat mbi tolerancën (Tiranë: ISP&Edlora, 2011), 71-72.
  5. Historia e Popullit Shqiptar, vëll. IV, Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj (1939-1990), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë (Tiranë: Toena, 2008), 286.
  6. Hulusi Hako, “Si i bëra “gjyq Zotit” dhe propagandova ateizmin në Shqipëri”, Panorama, 02.02.2004.
  7. Hamit Beqja, “Në luftë për shkallmimin e së vjetrës, të krijojmë dhe afirmojmë të renë”, marrë nga Materiale mbi lëvizjen revolucionare kundër fesë (Tiranë: 8 Nëntori, 1973), 11.
  8. Po aty.
  9. Po aty.
  10. Po aty.
  11. Shih Sotir Melka, “Ta çojmë çdo ditë e më përpara luftën kundër botëkuptimit fetar”, në Materiale mbi lëvizjen revolucionare kundër fesë (Tiranë: 8 Nëntori, 1973), 19-28.
  12. Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë së Shqipërisë, 1946 (Tiranë: 5 korrik 1950).
  13. Po aty, Pjesa e parë, “Parimet themelore”, Kapitulli III, “Të Drejtat dhe Detyrat e Shtetasve”, neni 15.
  14. Po aty.
  15. Po aty.
  16. William Troy, Myth, Method and dhe Future (Boston: Chimeria, spring, 1946), 132-136.
  17. Shih: Arkivi Qendror Shtetëror i Republikës së Shqipërisë, Fondi (më tej: F) 890, Viti (më tej: V.) 1966, Dosja (më tej: D.) 469, fl. 4, 5.
  18. Po aty.
  19. Enver Hoxha, “Letër e KQ të PPSH drejtuar komiteteve të partisë të rretheve “Mbi luftën kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare”, në Dokumente kryesore të Partisë së Punës të Shqipërisë, vëll. V (1966-1970), Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së (Tiranë: 8 Nëntori, 1974) 142.
  20. Enver Hoxha, “Për të realizuar vijën e partisë”, në Vepra 35 (shkurt 1967- qershor 1967) (Tiranë: 8 Nëntori, 1982), 102.
  21. Po aty, 104.
  22. Për ndalimin e ritualeve fetare, pra dhe ritualet e mortit si “gjama”, shih dhe: Át Zef Pllumi, Rrno vetëm për me tregue (Tiranë: Hylli i Dritës, 1997), 136-139.
  23. Ismail Kadare, “Shqiptarët u konvertuan me dhunë në fenë islame”, Dita, 10.10.2013.
  24. “Fjala e 6 shkurtit 1967”, në Enver Hoxha, Raporte e fjalime 1967-1968 (Tiranë: 8 Nëntori, 1972), 8.
  25. Po aty, f. 29.
  26. Në librin e tij “Fluturimi i bletës, qytetit të Lindjes - Saranda”, Josif Papagjoni risjell episode të kësaj lëvizjeje të rinisë shkollore kundër fesë dhe kishës ortodokse të qytetit, pushtimin e kishës dhe dëbimin e besimtarëve, prishjen dhe djegien e ikonave, poshtërimin e priftit në mënyrë publike, procesionet në qytet në formë performancash etj. (Josif Papagjoni, Fluturimi i bletës, qytetit të Lindjes - Saranda (Tiranë: Eneas, 2023), 348-350.
  27. Në revistën “Albanologji”, nr. 4, 2014, të Prishtinës, botim i Institutit Albanologjik, botohen edhe disa dëshmi dramatike për periudhën në fjalë: “Aso kohe unë isha 17 vjeçe, nxënëse pranë shkollës pedagogjike “8 Nëntori” në Peshkopi”, - shprehet Shkurte Seiti për vitin 1967, kur kishte shkuar aksioniste në hekurudhën Rrogozhinë-Fier. - Aksionistët vinin nga krahina të ndryshme të vendit (vetë zonja vinte nga Burreli). Në kujtesën e saj ka mbetur i freskët momenti, kur aksionistët i vunë kazmën kishës së Lushnjës, - thotë ajo. Më pas, vazhdon ajo, pasi u thyen dhe u shkatërrua gjithçka, përballë portës së kishës, pashë të ulur në gjunjë priftin që qante. Unë nuk e mora dot guximin që të hidhja kazmën kundër asaj kishe, por kur hyra brenda pashë ikonat e saj thuajse të thyera të gjitha. Nuk kisha parë asnjëherë ikona aq të bukura”. “Etnomjekësia në besimin fetar”, Albanologji, 4 (2014): 179, 180.
  28. “Më 1965, - thuhet më tej në këtë shkrim, - mësuesi nga Batrra, pasi mblodhi nxënësit e klasës së tij, vajti dhe shkatërroi Teqenë e Batrrës, por pas kësaj ndodhie ai u çmend. Nga njerëzit thuhej si ai kaloi (u çmend), se e kreu atë akt pa dëshirën e tij, por vetëm se e urdhroi Partia. Ishte një vuajtje psikologjike e papërballueshme nga personi duke ditur se ai besonte verbërisht te Teqeja si vend i shenjtë”. Po aty.
  29. Shih: Artan Fuga, Shtigje drejt guvës së gjarprit (Tiranë: Ora, 2004).
  30. Në një informacion nga partiakët Dashnor Mamaqi dhe Ismail Hoxha për rrethin e Shkodrës, thuhej: “Shtëpitë e vatrat e kulturës në propagandën e tyre, nëpërmjet formave të ndryshme të aktiviteteve, trajtonin problemet e ditës, duke organizuar mbrëmje tematike, biseda etj. me tema si këto: “Ta bëjmë malin porsi fushën”, “Të djegim me zjarr zakonet prapanike”, “Krezmimi - zinxhir skllavërues për brezin e ri” etj. Një aktivitet të dendur zhvilluan gjatë kësaj periudhe, sidomos në fshat, teatri “Migjeni”, estrada profesioniste dhe grupet amatore”. Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit (dokumente arkivore), përgatitur nga Beqir Meta, Afrim Krasniqi, Hasan Bello, vëll. I (1945-1968) (Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Fondacioni Konrad Adenauer Stiftun, 2022), 353.
  31. AQSH, F. 14/AP - Strukturë, V. 1967, D. 20, fl. 3. Shkresë nr. 133 prot., Tepër-sekret, drejtuar Komiteteve të Partisë të Rretheve, Tiranë, më 27 shkurt 1967.
  32. Po aty.
  33. Po aty.
  34. Po aty.
  35. Po aty.
  36. Po aty.
  37. Po aty.
  38. Fatos Lubonja, “Editorial: Feja dhe shqiptarët”, Përpjekja, 17.10.2011, 6.
  39. AQSH, F. 14/AP – Str., V. 1967, D. 20, fl. 3.
  40. Po aty.
  41. Po aty.
  42. Po aty.
  43. Po aty.
  44. Kodi Penal i RPSSH, 1977 (Tiranë: 8 Nëntori, 1977), neni 24.
  45. Historia e Popullit Shqiptar, vëll. IV, 286.
  46. Imzot Zef Simoni, “Persekutimi i kishës katolike në Shqipni nga 1944-1990”, në Krishtërimi ndër shqiptarë, Simpozium Ndërkombëtar Tiranë, 16-19 Nëntor 1999 (Shkodër: Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, 2000), 368.
  47. Komunizmi dhe revolucioni antifetar në Shqipëri, 24/04/2012, gazeta online “DurrësLajm”. https://durreslajm.al/komunizmi-dhe-revolucioni-antifetar-ne-shqiperi/ (shikuar më 08.12.2023)
  48. Shih Harilla Papajorgji, “Disa drejtime të lëvizjes revolucionare kundër fesë pas Kongresit V të PPSH”, në Materiale mbi lëvizjen revolucionare kundër fesë (Tiranë: 8 Nëntori, 1973), 30, 36.
  49. Shih AQSH, F. 890, V. 1966, D. 469, fl. 4, 5.
  50. Shih Papajorgji, “Disa drejtime”, 32.
  51. Historia e Popullit Shqiptar, vëll. IV, 287.
  52. AQSH, F. 14/AP, V. 1967, D. 191. Raport informativ “Mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj”, 30 gusht 1967.
  53. Po aty.
  54. Po aty.
  55. Po aty.
  56. “Më 4 dhjetor 1966, në orën 10 p.d. - lexohet në procesverbalin e kuvendit të fshatit Shënkoll, - u mblodh e gjithë organizata e Frontit të fshatrave të bashkuara Shënkoll dhe Rrillë. Morën pjesë në mbledhje gjithsej 450 veta, prej të cilëve burra 313, gra 117, të rinj e të reja 54. Nga këta kishte dhe pleq e plaka mbi 112 veta. Mbledhjen e drejtoi kryetari i Frontit të fshatit të bashkuar. Ai tregoi qëllimin e mbledhjes dhe ia dha fjalën popullit… Mbasi puna u shoshit mirë, propozimi u hodh në votë. 446 veta ngritën gishtin lart. Vetëm 4 votuan kundra. Ky ishte një akt patriotik për popullin e zonës sonë. Kthimi i kishës në shtëpi kulture dhe largimi i priftit qe një fitore tjetër e rëndësishme e popullit të fshatit tonë në luftën kundra ideologjisë fetare dhe mbeturinave të tjera që rrjedhin prej saj.” Gjystina Shyti, “Kisha e Shën Kollit, shfrytëzuese e pamëshirshme e Bregmatasve”, në Materiale mbi lëvizjen revolucionare kundër fesë (Tiranë: 8 Nëntori, 1973), 56.
  57. Ana Lalaj, “Qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj fesë dhe grupeve fetare në Shqipëri”, Studim i paraqitur në Kongresin Amerikan, Studime historike, nr. 3-4 (2004): 228.
  58. Enver Hoxha, “Si ta forcojmë partinë dhe si ta edukojmë atë”, Vepra 35, 312.
  59. AQSH, F. 14/AP – Str., Komiteti Qendror, V. 1967, D. 20, fl. 3. Shkresë nr. 133 prot., Tepër-sekret, drejtuar Komiteteve të Partisë të Rretheve, Tiranë, më 27 shkurt 1967.
  60. Ajet Shahu, “Shteti komunist dhe kisha katolike”, në Krishtërimi ndër shqiptarë, Simpozium Ndërkombëtar Tiranë, 16-19 nëntor 1999 (Shkodër: Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, 2000), 356.
  61. Po aty.
  62. “Masa dhe miti i përkasin njëri-tjetrit, - shkruan Roland Barthes. - Masa bëhet e vetëdijshme me ndihmën e mitit. Më saktë, miti lind bashkësitë e njerëzve, sepse ai drejtohet mu në zemër të njeriut. Miti asgjëson veçimin e njerëzve. Ai kryen punën e bashkërendimit të punëve njerëzore. Ai ndihmon të vendoset marrëveshja. Miti është fillesë organizuese. Prej tij vjen frymëzimi, të cilit njerëzimi i detyron ekzistencën dhe madhështinë. Miti plotëson dhe forcon atë besim, mbi bazën e të cilit kryhen punë të mëdha historike”. Roland Barthes, Mythologies (Paris: 1958), 87.
  63. Cituar sipas Simonit, “Persekutimi i kishës katolike”, 384.
  64. Atë Pjetër Meshkalla, “Letër drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu”, Kumbona e së Diellës, 03.03.1998; Simon Shkreli, “Letra e At Pjetër Mëshkallës drejtuar Mehmet Shehut”, KonicaAl, 05.04.2017.
  65. Hugo Grotius, Deti i lirë dhe prolegomena e mbi të drejtën e Luftës dhe të paqes (Tiranë: ISP&DITA, 2000), 286.
  66. Charles Taylor në dallimin midis shtetit të “keq” dhe shtetit të “mirë”, vërente se “shteti është kryesisht një institucion për ruajtjen e marrëdhënieve paqësore mes njerëzve...”. Ludwig von Mises, Veprimi Njerëzor. Një traktat mbi ekonominë (Tiranë: 2000, ISP&DITA), 200.
  67. Enver Hoxha. Raport në Kongresin VI të PPSH (Tiranë: 8 Nëntori, 1970), 131.
  68. Shih Historia e Shqipërisë, vëll. 4, Akademia e Shkencave e RPSSH-së, Instituti i Historisë (Tiranë: 8 Nëntori, 1984), 301; Enver Hoxha, Imperializmi dhe revolucioni. (Tiranë: 8 Nëntori, 1978), 384.
  69. Shih Enriketa Kambo, Shkolla shqiptare në vitet 1960-1970, Instituti i Historisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike (Tiranë: Kristalina-KH, 2014), 219-226.
  70. Historia e Shqipërisë, vëll. 4, 301; Enver Hoxha, Imperializmi dhe revolucioni (Tiranë: 8 Nëntori, 1978), 384.
  71. Ramiz Alia, Unë Ramiz Alia dëshmoj historinë (Tiranë: Dituria, 1993), 66.
  72. Shih Joseph Rothschild, Kthim në diversitet (Tiranë: Onufri, 1998), 200.