Main Article Content
Abstrakti
Ndërhyrja e shtetit komunist në “qeverisjen” e komuniteteve fetare përmes statuteve të tyre jo vetëm që cenoi integritetin juridik të tyre, por në një shumicë nenesh këto statute shprehnin brendi politike në përputhje me regjimin. Ligji i linte shtetit diskrecionin të ndihmonte ose jo komunitetet fetare, gjithë pjesa tjetër e ligjit ishte thelbësisht një listë detyrimesh që komunitetet fetare kishin ndaj shtetit. Në skajin e kundërt me modelin e një shteti teokratik (që synon shkrirjen në një të shtetit me fenë) regjimi i PPSH, ndonëse shpallte ngado laicizmin e tij, nuk ndahej aspak nga feja, por praktikisht shtrinte pushtetin e tij mbi çdo aspekt me rëndësi në veprimtarinë e komuniteteve fetare. Mbishtresa politike në statute e heq mbulesën formale dhe në nene të caktuara dorashka e angazhimit politik u është përplasur në fytyrë komuniteteve fetare, mjaft të përmendet se në detyrën e edukimit të besimtarëve dhe klerit duhej të mbahej parasysh edhe qëllimi “që të luftoheshin besëtytnitë e vjetra”.
Në një kuptim, i përligjur historikisht, statutet qenë shprehje e një kompromisi politik me situatën ku gjendeshin komunitetet fetare, përfshi edhe segmentet e devotshme proqeveritare brenda tyre, duke përcjellë në trajtë juridike statuore një farë garancie ndaj shtetit komunist, për të ndjekur vijën e tij politike. Ky shtet i ri tashmë kërkonte prej komuniteteve fetare një angazhim të hapur politik, brohorima entuziaste dhe duartrokitje deri në raskapitje, nga të gjithë.
