Main Article Content
Abstract
Shqipëria, duke qenë një shtet që përmbante tre besime të ndryshme fetare, ka hasur në shumë vështirësi në kombëtarizimin e tyre, i cili ishte një kusht sine qua non për mbijetesën dhe konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar. Shteti dhe ortodoksët patriotë shqiptarë u përpoqën ta kombëtarizonin dhe pavarësonin kishën ortodokse duke e parë këtë proces jo vetëm si një të drejtë të padiskutueshme të kombit dhe shtetit shqiptar por edhe si një komponent të rëndësishëm të pavarësisë kombëtare dhe të ndërtimit të një kombi të lirë me institucione të shëndetshme dhe natyrale që do t’i shërbenin kohezionit të tij. Në të kundërt, qeveria greke dhe disa faktorë të tjerë të huaj u përpoqën t’ia mohonin këtë të drejtë dhe ta fusnin çështjen e kishës shqiptare në sferën e të drejtave të minoriteteve. Ndërsa, përpjekjet për autoqefalinë e saj i denoncuan si një shkelje të rëndë të këtyre të drejtave. Ndonëse nuk kishin asnjë bazë reale këto pretendime dhe ky presion i Greqisë, Patrikanës greke të Stambollit dhe i vendeve të tjera fqinjë i kushtoi shumë energji shtetit shqiptar, i cili u ballafaqua me politika të vendosura e të forta penguese. Pikërisht për këtë arsye dhe në këtë këndvështrim çështja e vështirësive të realizimit të autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare përbën një objekt të këtij artikulli.
