Main Article Content
Abstrakti
Në vitet e para të jetës kombëtare të shtetit shqiptar u kryen reforma dhe lëvizje politike shoqërore të cilat i shërbenin afirmimit e plotësimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Robert Austin, ashtu si dhe historianë të tjerë perëndimorë, është shprehur me të drejtë se “më shumë se sa fqinjët e saj, Shqipërisë i duhej të ndërtonte si kombin-shtet, ashtu dhe të forconte identitetin kombëtar, në një kohë kur situata nuk ishte aspak në favorin e saj”. Probleme të tilla, si mungesa e unitetit fetar, krahinor e gjuhësor, mungesa e centralizmit të përparuar dhe e modernizmit shoqëror-ekonomik, si dhe mospërhapja e plotë e idesë kombëtare në të gjithë shtresat e vegjëlisë, ishin probleme madhore që duheshin kapërcyer. Krahasuar me popujt e tjerë të Ballkanit, shqiptarëve u ishte mohuar për një kohë të gjatë përgatitja kulturore, dhe disa nga pengesat për bashkimin kombëtar ishin ende të pranishme. Ato dolën në pah veçanërisht në kuadrin e përpjekjeve për ndërtimin e shtetit.