Main Article Content
Abstrakti
Më 7 mars 1914, ish kapiteni i kavalerisë gjermane Vilhelm Vidi (Wilhelm fon Wid), caktuar nga Fuqitë i Mëdha si princ i Shqipërisë, mbërriti në Durrës. Sakaq, vështirësia kryesore që ai hasi ishte pamundësia e ushtrimit të sovranitetit në të gjithë territorin e shtetit shqiptar. “Lëvizja Vorioepirote” e aktivizuar në territoret jugore, për të kundërshtuar vendimin e Fuqive të Mëdha për bashkimin e krahinës së Korçës dhe të Gjirokastrës me shtetin shqiptar, ishte pengesa kryesore e shtrirjes së atributeve qeverisëse në Shqipërinë e Jugut. Më 2 mars 1914, aty ishte shpallur “autonomia e Epirit të Veriut” dhe ishte krijuar një qeveri me në krye Jorgo Zografosin (Georgios Zografos), ish guvernator i përgjithshëm i administratës greke në territoret e pushtuara të Shqipërisë së Jugut. Situata bëhej edhe më e vështirë nga prania e trupave greke, të cilat nuk ishin tërhequr nga territoret jugore, megjithëse Luftërat Ballkanike kishin përfunduar.
