Main Article Content
Abstrakti
Krijimi i ligjërimit politik, historik, njerëzor, kulturor dhe shpirtëror dhe koniunktura në të cilën jetonte shoqëria dhe komunitetet fetare në Shqipëri nga vitet 30-40 të shek. XIX gjer në vitin 1912, ishin endur si marrëdhënie të ndërsjella me vetveten. Pjesë përbërëse e këtij zhvillimi ishte edhe aspekti fetar pavarësisht nuancës apo fuqisë që ai shprehte. Sipas mendimit të sociologut Bourdieu, së pari feja si parim i përfytyrimit dhe i ndarjes së botës sociale, siguron një rrugë të identifikimit dhe caktimit të grupeve themelore shoqërore, një sistem të fuqishëm për komunitetin imagjinar dhe një grup skemash, modelesh dhe metaforash për t’i dhënë kuptim sferës sociale. Së dyti feja, sikundër etniciteti dhe nacionalizmi, mund të kuptohet si mënyrë e organizimit shoqëror, si një shteg që formon, drejton dhe organizon marrëdhëniet sociale. Për sa i përket çështjeve që trajtohen në këtë artikull është synuar që të përvijohet një ndërthurje ndërmjet teorisë dhe ecurisë së fakteve që kanë lidhje me jetën e komuniteteve fetare në Shqipëri përgjatë vitit 1913.