Main Article Content
Abstrakti
Në maj të vitit 1803 ishte rikthyer përfundimisht armiqësia tradicionale mes
dy fuqive me të mëdha evropiane, Francës dhe Britanisë së Madhe. Konfliktet e
pritshme, të egra dhe të përgjakshme mes tyre dukej qartë se tanimë ishin “në
prag të derës”. Marrëveshja e njohur e Paqes, e Amiensis, e vitit 1802 mes tyre,
e cila i kishte lënë edhe më shumë të pakënaqur të dy palët, ishte flakur në
koshin e plehrave, duke shuar “de fakto” juridikisht dhe politikisht efektet e saj.
Në situatat e një kërcënimi serioz ushtarak, britanikët kishin krijuar një
Koalicion të ri për të ndaluar me forcën e armëve revanshin dhe pushtimet e
Bonapartit. Por, gjenerali i ri dhe kurajoz francez, pa pyetur për asnjë pengesë,
marshonte nën ritmet e trompetave të tij të luftës për të realizuar planet e tij
kontinentale. Dhe pa kaluar asnjë vit, në maj 1804, ai shpalli Francën Perandori
dhe veten Perandor.
Pikërisht, në këtë kohë, Napoleoni fokusoi ëndrrat dhe planet e pushtimeve
të tij mbi territoret evropiane, përfshi ato ballkanike dhe bashkë me to territoret
joshëse të Pashallëkut të Janinës.
