Main Article Content
Abstrakti
Kur flitet për një identitet evropian, shpeshherë ky krahasohet me atë
kombëtar. Studiues të ndryshëm argumentojnë për pamundësinë, ose në rastin
më të mirë, “cekëtinë” e identitetit evropian përballë atij kombëtar, ose për
mënyrën sesi identiteti evropian po fiton terren prej zbehjes së identiteteve
kombëtare në Evropës si pasojë e globalizimit ekonomik dhe kulturor. Mirëpo,
duhet theksuar se marrëdhëniet midis kombeve evropianë dhe idesë së Evropës
janë të ndërvarura: jo vetëm kombet e parë modernë janë formuar në mjedisin e
qytetërimit evropian a perëndimor, por gjithashtu “Evropa” dhe projekti për
bashkimin politik gjithëevropian janë konsideruar prej këndvështrimeve të
kombeve të kontinentit. Kjo është arsyeja pse asnjëherë nuk ka pasur një
“Evropë” thelbësore, por gjithmonë shumë përfytyrime të Evropës. Kjo do të
thotë se epitetet “evropian” dhe “kombëtar” nuk janë alternativa të njëri-tjetrit,
por artikulohen së bashku në mënyra të shumëfishta. Këtu do të trajtojmë
artikulimet e “Evropës” në debatet publike mbi zhvillimin e shtetit kombëtar
shqiptar në periudhën midis dy luftërave botërore. Pyetja së cilës do të
mundohemi t’i përgjigjemi është se cilat janë përdorimet e “Evropës” te
ligjërimet intelektuale të kohës, në varësi edhe të projekteve politike për të
ardhmen e vendit që parashtroheshin prej intelektualëve.