Main Article Content
Abstrakti
Historiani shqiptar, akademik Kristaq Prifti është i njohur për kontributin e rëndësishëm që ka dhënë për historiografinë shqiptare, sidomos për historiografinë e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme. Nga pena e tij kanë parë dritën e botimit monografitë: “Doktor Ibrahim Temo”, “Dervish Hima”, “Lidhja Shqiptare e Pejës: Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1896-1900”. Njëherësh ka qenë pjesë e grupit drejtues të botimit “Historia e Popullit Shqiptar” në katër vëllime, ka qenë mandej bashkorganizator i simpoziumit “Shqiptarët e Maqedonisë”, që u mbajt në Shkup në vitin 1992, si edhe redaktor i pjesës historike të punimeve të tij (1994). Kontributi i tij vërehet gjithashtu në botimin e përmbledhjes “E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi” (Tiranë, 1990), në organizimin e simpoziumit “Çështja e Kosovës një problem historik dhe aktual” etj.
