Main Article Content
Abstrakti
Arkivat ballkanike për shek.XX, edhe pse në pamje të parë duket sikur nuk kanë vlerat e arkivave të Shteteve të Mëdha, me interesa në rajon (sikurse ishin dikur Austro-Hungaria, Italia, Gjermania, Britania e Madhe, Rusia dhe Franca), dhe sikurse më pas e deri sot, ishin dhe janë Italia, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik (20 vjetët e fundit Rusia) dhe veçanërisht SHBA) në fakt për historinë kombëtare të shqiptarëve ruajnë vlera të jashtëzakonshme. Fqinjët tokësorë të Shqipërisë Greqia, Serbia dhe Mali i Zi pas vitit 1918, Greqia dhe Mbretëria serbo-kroato-sllvoene, apo Mbretëria Jugosllave (emri zyrtar pas vitit 1929), dhe pas vitit 1945 Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, ose 20 vitet e fundit ish republikat e saj jugore të pavarësuara pas shpërbërjes së Federatës, por edhe shtete të tjerë, pak më larg, posaçërisht Turqia, Bullgaria, Rumania etj., ruajnë në arkivat e tyre një pasuri të çmuar dokumentare, në mjaft raste me vlera të papërsëritshme. Fqinji, për mirë a për keq, të njeh e vlerëson me dhëmbë e dhëmballë, sikurse edhe ti atë, ndaj detajet e marrëdhënieve bilaterale e më gjerë, të ngjarjeve të ndryshme, evidentimi e portretizimi i personaliteteve të rangjeve të ndryshme, ndriçohen nga një kënd origjinal. Aq më tepër përfshirja e pakicave nacionale brenda kufijve të shteteve fqinje (në rastin e fqinjëve veriorë do të duhej thënë përfshirja e shumicave nacionale, sepse ka qenë fjala për gati gjysmën e kombit shqiptar) ka prodhuar dokumente specifike që japin dorë për trajtime të veçanta, demografike, politike, sociale, ekonomike, kulturore, arsimore etj.
