Main Article Content
Abstrakti
Kolanës së studimeve albanologjike iu shtua edhe botimi Kosova gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, Instituti i Historisë-Prishtinë, 2019 me autor studiuesin dr.Fitim Rifati. Kjo monografi është konceptuar në gjashtë kapituj.
Në kapitullin e parë autori ka trajtuar situatën politike të Kosovës në prag të Luftës së Parë Botërore (1913-1914). Kjo i shërben lexuesit për ta njohur atë me kontekstin e zhvillimeve historike. Ai ka trajtuar hollësisht gjendjen e kësaj treve nën administrimin serbo-malazez nga vitet e Luftërave Ballkanike deri në qershor të 1914-ës. Në këtë kapitull analizohen politikat antishqiptare të fqinjëve ballkanikë ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës dhe përpjekjet e saj për të organizuar një kryengritje të armatosur. Autori sjell fakte dhe dëshmi interesante, të cilat flasin për numrin e viktimave dhe të shpërngulurve drejt Perandorisë Osmane. Represioni i autoriteteve serbo-malazeze konstatohet jo vetëm në aspektin e eleminimit fizik dhe dëbimit të shqiptarëve me dhunë, por edhe në aspektin ekonomik, fiskal, demografik dhe arsimor.
