Main Article Content
Abstrakti
Një element kyç në historinë e marrëdhënieve të familjes shqiptare Balsha në përgjithësi, dhe në veçanti të Gjergj II Strazimirit me Republikën tregtare të Raguzës që nga fundi i shek.XIV dhe fillimi i shek.XV ishte elementi tregtar – doganat dhe sigurimi i veprimtarisë tregtare. Në bregdetin dalmat të Detit Adriatik, Raguza, që sot është qyteti i Dubrovnikut, ishte vendi më i rëndësishëm fqinj i zotërimeve të Balshajve, me të cilët interesat e bashkëpunimit ishin qenësore dhe të dyanshme. Në anën tjetër, Principata e Balshajve, për Republikën e Raguzës përfaqësonte zonën më të afërt të aktiviteteve, interesat e saj më të rëndësishme tregtare si dhe mundësi e zgjerimit të veprimtarisë tregtare në brigjet shqiptare. Qëllimi ynë në këtë studim është të prezantojmë rolin përcaktues të tregtisë në ndërtimin e raporteve diplomatike në rajon, duke u përqendruar në veçanti në rolin e saj në ruajtjen e komunikimit ndërmjet Gjergjit II Strazimir Balshës dhe Raguzës në periudhën kohore që kur erdhi në pushtet në vitin 1385, deri në vdekjen e tij në vitin 1403.