Main Article Content
Abstrakti
Në këtë artikull trajtohet pozita e shqiptarëve në Frontin e Adriatikut dhe në veçanti Masakra e Tivarit. Gjatë tërheqjes së ushtrisë gjermane nga territori i ish-Jugosllavisë, u krijuan dy fronte: fronti i Sremit të Vojvodinës dhe fronti i Adriatikut në veriperëndim të Jugosllavisë. Shqiptarët u rekrutuan për t’u dërguar në luftime në këto fronte ndërsa brigadat serbe i forcuan pozitat e tyre në territorin e Kosovës. Gjithsej për plotësimin e reparteve jugosllave nga Kosova dhe viset e tjera etnike u rekrutuan dhe u dërguan në luftime larg Kosovës 37 424 shqiptarë. Por, krahas largimit nga Kosova të Brigadave kosovare në Kosovë u vendosen 40 mijë ushtarë dhe oficer elitë të cilët kishin për detyrë ta ndihmonin vendosjen e “pushtetit popullor”. Gjatë muajit mars dhe prill të vitit 1945, rreth 13.000 rekrutë shqiptarë u dëbuan me forcë nga Kosova dhe rreth 5000 nga Maqedonia. Këta rekrutë u dërguan të paarmatosur në Frontin e Adriatikut. Pikë mbledhja e këtyre rekrutëve u caktua Prizreni, por është me rëndësi të përmendet fakti që gjithë rekrutët shqiptarë u çarmatosën me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga dhe se kur të mbërrinin në front do të pajiseshin me armë moderne angleze. Ky ishte mashtrimi i parë që iu bë shqiptarëve, të cilët, të mobilizuar përshkuan rrugën Prizren–Kukës–Shkodër–Tivar-Dubrovnik-Rijekë. Përgjatë kësaj rruge mijëra shqiptarë gjetën vdekjen, që sipas të mbijetuarve numri i të vdekurve apo të vrarëve gjatë rrugëtimit nga Prizreni deri në Tivar dhe në Masakrën e Tivarit ishte me mijëra. Shqiptarët, u vranë nga bashkëluftëtarët e tyre partizanë jugosllavë, por, në vrasjen e tyre kanë marrë pjesë dhe popullsia vendase malazeze si dhe popullsia civile serbo-malazeze të cilët ishin vendosur si kolonë në vitet 20-30-të në Kosovë, ndërsa ishin larguar nga Kosova pas luftës së prillit 1941. Së fundmi, mund të themi se masakra e mijëra shqiptarëve të pafajshëm në territoret shqiptare dhe ato jugosllave në vitin 1945, mund të jetë një ndër krimet më të mëdha ndaj bashkëluftëtarëve për të luftuar armikun e përbashkët gjerman.
