Main Article Content

Abstrakti

Intervenimi ushtarak i NATO-s në luftën e Kosovës, përkatësisht
goditja e caqeve ushtarake serbe, paraqet një nga ngjarjet më të
rëndësishme në Evropë në dhjetëvjeçarin e parë pas përfundimit të
konfliktit Lindje-Perëndim, që po ashtu çoi në dezintegrimin e
dhunshëm të Federatës Jugosllave. Ishte kjo ndërhyrja e parë
humanitare në historinë e NATO-s ndaj një shteti agresor, i cili deri
në atë moment kishte refuzuar çdo zgjidhje me mjete paqësore dhe
politike, refuzoi përmbushjen e të gjitha rezolutave të Këshillit të
Sigurimit dhe Marrëveshjen e Rambujesë. Kjo ndërhyrje e NATO-s
nuk ishte një luftë për interesa nacionale dhe as për pushtimin e
territorit, por synonte të evitonte një “Bosnje të dytë” në Kosovë, e
cila në këtë periudhë po përballej me agresionin, vrasjet dhe dëbimet
më masive që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në këtë punim synohet për t’i dhënë përgjigje pyetjes hulumtuese: A
ishte “ndërhyrja humanitare” e NATO-s në luftën e Kosovës një
ndërhyrje legjitime dhe nëse ky intervenim përbënte një rast
precedent apo përjashtim dhe përse intervenimi i NATO-s ishte i
domosdoshëm në luftën e Kosovës? Së pari, është trajtuar çështja e
“intervenimit humanitar” dhe principi i sovranitetit, përpara se të
ndalemi në trajtimin e rrethanave të ndërhyrjeve humanitare në
Kosovë. Kjo pasohet nga një përshkrim i shkurtër i situatës në Kosovë
para ndërhyrjes dhe një pasqyrë e operacionit të Forcave Aleate. Në
hapin e fundit, do të bëhet një analizë e motiveve dhe arsyeve të
NATO-s, duke marrë parasysh mendimet e autorëve të ndryshëm që
argumentojnë përmbushjen e kritereve të kësaj ndërhyrjeje
humanitare. Punimi im bazohet në burimet e botuara, në studime të
autorëve të huaj, si dhe në shtypin e kohës, në të cilin trajtohet
çështja e luftës së Kosovës dhe çështja e intervenimit ushtarak të
NATO-s në kontekstin e ri ndërkombëtar pas përfundimit të Luftës së
Ftohtë. Për të dhënë një sfond më të detajuar të ndërhyrjes ajrore të
NATO-s në luftën e Kosovës, bëhet një vështrim përmbledhës rreth
çështjes së “intervenimit humanitar” dhe principit të sovranitetit,
konventave ndërkombëtare mbi konfliktet dhe luftërat, në mënyrë që të përshkruaj rrethanat dhe rrjedhën e ndërhyrjes ajrore të NATO-s
në periudhën 24 mars -10 qershor 1999. Në diskutimin publik ka dy
pikëpamje të kundërta. Për disa ndërhyrja e 19 shteteve anëtare të
NATO-s ishte një hap vendimtar larg një sistemi juridik ndërkombëtar
të vjetërsuar, ndërsa për të tjerët mandatimi i Këshillit të Sigurimit
ishte i nevojshëm për autorizimin e përdorimit të forcës nga NATO-ja
kundër Jugosllavisë së mbetur.
Në fund të punimit paraqiten edhe konkluzionet përse rasti i Kosovës
është një pikënisje e rëndësishme dhe një argument i qëndrueshëm, se
përse shkelja e të drejtave të njeriut nuk mund të përligjet me
argumentin e sovranitetit shtetëror. Ky intervenim i NATO-s njihet
edhe si doktrina mbi ndërhyrjen humanitare, e cila prej rastit të
Kosovës dëshmoi se sovraniteti shtetëror dhe integriteti i kufijve nuk
janë kategori të shenjta në rendin juridik ndërkombëtar.

Article Details

How to Cite
Ukshini, Sylë. 2024. “Ndërhyrja Ushtarake E NATOs Në Kosovë: Rast Precedent Apo përjashtim?”. Studime Historike, no. 3-4 (December). https://doi.org/10.61773/42pgh736.

How to Cite

Ukshini, Sylë. 2024. “Ndërhyrja Ushtarake E NATOs Në Kosovë: Rast Precedent Apo përjashtim?”. Studime Historike, no. 3-4 (December). https://doi.org/10.61773/42pgh736.

Share