Main Article Content
Abstrakti
Kronika e Shkodrës e viteve ’30 të shek. XIX, është shkruar nga dom
Zef Bubçi, famullitar i Shkodrës. Kjo kronikë ka në qendër të vëmendjes
sidomos dy ngjarjet më kryesore: fundin e sundimit të Bushatllinjve, me
dorëzimin e Mustafë Pashës, dhe kryengritjen e Shkodrës të kryesuar nga
Hamz Kazazi. Preket pastaj me ndonjë shënim edhe lufta me malazezët
për Zhabjakun etj.
Autori ka pasur në dorë një fletore të formatit të vogël, siç mund të
vërehet edhe nga sasia e tekstit që përfshihet në secilën faqe të saj. Ai, siç
duket, i kishte vënë vetes për detyrë të shënonte vetëm ngjarjet e
rëndësishme. Për një plan të tillë, nuk duhet të ketë qenë pa rëndësi edhe
vetë masa dhe numri i faqeve të fletores. Nuk është pra një ditar personal
që të regjistrojë dita-ditës punët ose ngjarjet, me ose pa rëndësi, që
ndodhnin në jetën e autorit.
Vetë ligjet e kronikës pësojnë këtu ndonjë çrregullim. Ngjet që para
syve të autorit kalon pa u shënuar ndonjë ngjarje e cila, në fillim, nuk
duket me rëndësi, por pastaj, nga rrjedhimet e saja, del se duhej shënuar;
atëherë autori e rikap ngjarjen duke bërë një kthesë në kohë.
Kur ngjarjet politike të Shkodrës, në gjykimin e autorit, nuk kanë atë
peshë që të meritojnë shënime në kronikë, ndodhin kapërcime kohore
edhe të gjata. Kështu shpjegohet se si, në 33 faqet e vogla të fletores, të
përfshihet një periudhë e gjatë 9-vjeçare (1831-1839).
Autori e nis kronikën më 10 korrik 1831, kur Mustafa Pasha po
rrethohej nga të katër anët prej ushtrive të sulltanit. Jemi pra në aktin e fundit.
Ndoshta, duke shtruar në plan të punës së vet, nevojën që të bëhej një
parahistori e ngjarjeve të mëdha që po ndodhnin, autori i lë të pashkruara
shtatë faqet e para të fletores, duke e nisur kronikën te fq. 8. Por pastaj,
koha dhe ngjarjet ecnin dhe ato shtatë faqet e para nuk u mbushën deri në
vitin 1839. Me shënimin e 4 tetorit 1837, autori mbush faqen e parafundit
të fletores. Ndërkaq, në faqen e fundit të saj kishte bërë disa shënime
llogarish personale, dhe gjendet ngushtë për vendin ku do ta vazhdonte
kronikën. Atëherë i kujtohet se ka shtatë faqet e para të pashkruara dhe
tashmë parahistoria e ngjarjeve të Mustafa Pashës s’kishte kuptim. Në
këtë mënyrë kthehet dhe e vazhdon kronikën te faqja 2 deri te faqja 5.
Kështu që fletores i mbeten të pashkruara fq. 1 dhe fq. 6-7. Duke e
ndërprerë kronikën e vet te fq. 5, nuk është se autorit i ka munguar vendi
në fletore, që të mendohet se mos ka ndonjë fletore tjetër që nuk dihet.
Për ndërprerjen e kronikës pra duhen kërkuar arsye të tjera që ne na ikin
ose autorit i kanë munguar ngjarjet e mëdha, ose ai vetë është sëmurë ose
larguar nga Shkodra. Në transkriptimin që i kam bërë origjinalit unë kam
ndjekur dhe riprodhuar vetë fletoren ashtu siç paraqitet, pa analizën që i
bëra brendisë së saj. Kështu nis te fq. 2 me shënimin e datës 4 tetor 1837
dhe e vazhdoj siç është deri në fund.
Por, duke e dhënë përkthimin e saj, kam menduar të bëj rindërtimin e
lëndës sipas analizës që i kam bërë. Për këtë arsye, përkthimi ndjek
rendin kronologjik të shënimeve, duke filluar nga fq. 9 dhe duke kthyer
pastaj, pas fq. 33, te fq. 2-5.
Përkthimin e kam pajisur me disa shënime përshtatur për një kuptim
të drejtë të tekstit, duke bërë sqarime për situatat, për vendet, për kohën
etj., por pa hyrë në komentimin e ngjarjeve historike, gjë që është për
studiuesit e kësaj periudhe dhe të kësaj kronike.
Kjo kronikë ka qenë botuar, por vetëm në tekstin origjinal, në
revistën ALBANIA (1906, v. X, nr. 5). Aty ka disa ometime të pakta siç
janë shënimi i 14 tetorit 1837 dhe i 24 gushtit 1838 te fq. 2; shënimi i 19
shtatorit 1839 te fq. 5; shënimi i 1 prillit 1855 te fq. 12; shënimi i 20
shtatorit 1835 te fq. 30; një copëz te shënimi i 12 korrikut 1836 dhe
ndonjë fjalë tjetër që studiuesi do të ketë mundësi të hetojë duke
krahasuar dy transkriptimet.
Tiranë, korrik 1977
Injac Zamputi
