DEKLARATA E ETIKËS DHE E PRAKTIKAVE TË PAPËRSHTATSHME
PËRGJEGJËSITË E REDAKSISË
Kryeredaktori në bashkëpunim me Sekretarin shkencor dhe Bordin Editorial kanë përgjegjësinë për të vendosur se cilët artikuj të paraqitur në redaksinë e revistës Studime historike do të botohen. Kryeredaktori duhet të udhëhiqet nga mendimet e recensentëve dhe të anëtarëve të bordit të redaksisë, për të gjithë politikën e përgjithshme redaksionale, mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, në lidhje me shpifjen, shkeljen e të drejtës së autorit dhe të plagjiaturës. Kryeredaktori dhe anëtarët e bordit redaktues janë të detyruar të mbajnë shënime për çdo shkelje të standardeve të tilla etike.
Kryeredaktori rezervon të drejtën që të mos botojë dorëshkrimet e paraqitura, në rast se konstatohet se ato nuk i plotësojnë standardet përkatëse në lidhje me përmbajtjen dhe aspektet formale.
Pas dorëzimit të dorëshkrimit (data mbahet shënim), Sekretari shkencor i revistës informon autorin/ët, sa më shpejt të jetë e mundur, nëse materiali i tyre është pranuar për botim.
Kryeredaktori nuk duhet të ketë konflikt interesi në lidhje me artikujt që shqyrtohen për botim. Nëse njëri nga anëtarët e redaksisë mendon se mund të ketë një konflikt interesi në lidhje me trajtimin e një shkrimi të një autori, përzgjedhja e recensentëve dhe e të gjitha vendimeve të dokumentuara do të bëhen nga Bordi i redaksisë. Kryeredaktori dhe anëtarët e Bordit të redaksisë janë të detyruar të raportojnë paraprakisht në kohën e duhur, ekzistencën e një konflikti të tillë interesash.
Kryeredaktori, recensentët dhe redaksia do të vlerësojnë shkrimet për përmbajtjen e tyre në aspektin intelektual, në mënyrë të lirë dhe larg çdo lloj paragjykimi racor, gjinor, seksual, fetar, etnik ose politik.
Kryeredaktori, redaksia dhe recensentët nuk duhet t’i përdorin materialet e pabotuara, që gjenden në shkrimet që presin botimin, pa pëlqimin e shprehur me shkrim të autorit/ëve. Të dhënat dhe idetë e paraqitura në dorëshkrimet e paraqitura nga autori/ët, ruhen në mënyrë konfidenciale dhe nuk duhet të përdoren për përfitime personale.
Kryeredaktorët dhe stafi i redaksisë duhet të marrin të gjitha masat e arsyeshme, për të siguruar që emrat e recensentëve të mbeten të panjohur për autorët para, gjatë dhe pas procesit të vlerësimit, si dhe autorët e shkrimeve të mbeten të panjohur për recensentët.
PËRGJEGJËSITË E AUTORËVE TË SHKRIMEVE
Autori/ët e shkrimeve duhet të garantojnë që dorëshkrimi i tyre të jetë punim origjinal, që shkrimi të mos jetë botuar më parë dhe të mos jetë në shqyrtim për botim diku tjetër. Paraqitja paralele e të njëjtit punim shkencor në një revistë tjetër përbën sjellje të papërshtatshme nga ana etike, e cila i heq të drejtën autorit/es që shkrimi i tij/saj të shqyrtohet nga ana e redaksisë së revistës Studime historike.
Në rast se një shkrim i paraqitur, është rezultat i një projekti kërkimor, ose versioni i tij i mëparshëm është paraqitur në një konferencë në formën e një (kumtese) prezantimi verbal (nën të njëjtin titull ose të ngjashëm), duhet të jepet në një fusnotë (asteriks) në fillim të faqes së parë të tekstit, një informacion i detajuar në lidhje me projektin, konferencën, etj. Një punim i cili është botuar më parë në një revistë tjetër shkencore nuk mund të ribotohet në revistën Studime historike.
Është përgjegjësi e secilit autor të sigurojë që artikulli i paraqitur në revistën Studime historike, është shkruar, duke patur parasysh standardet etike. Autori duhet të pohojë qartë se artikulli nuk përmban pohime të pabazuara në burime të besueshme ose të paligjshme dhe se artikulli nuk shkel të drejtat e palëve të treta. Institucioni botues, kryeredaktori, Bordi Editorial dhe stafi i redaksisë nuk mund të mbajnë përgjegjësi ligjore nëse do të ketë ndonjë kërkesë për kompensim.
Autorët e kontributeve (shkrimeve) në shqyrtim, janë gjithashtu të detyruar t'i përgjigjen kërkesave shtesë të redaksisë së revistës.
STANDARDET E RAPORTIMIT
Shkrimi i dorëzuar në redaksi, duhet të përmbajë detaje dhe referenca të mjaftueshme, për të lejuar recensentët dhe, më pas, lexuesit të verifikojnë hipotezat dhe tezat e paraqitura në të. Paraqitja e qëllimshme e tezave të rreme, është një shkelje e standardeve etike.
Autorët janë ekskluzivisht përgjegjës për përmbajtjen e materialeve të tyre. Prandaj, ata duhet të sigurohen ose të kenë kujdes që të kenë siguruar paraprakisht leje nga të gjitha palët e përfshira, për t'i bërë publike të dhënat e përdorura në shkrim.
Autorët që dëshirojnë të përfshijnë shifra, tabela ose materiale të tjera që janë tashmë të botuara diku tjetër, u kërkohet që të marrin leje nga mbajtësit e të drejtës së autorit. Çdo material i marrë pa fakte e prova të tilla, do të konsiderohet se vjen nga autorët.
AUTORËSIA
Autori/ët duhet të sigurohen që të gjithë kontribuesit që kanë punuar në mënyrë të konsiderueshme për përgatitjen e një shkrimi, të jenë të shënuar si autorë dhe, anasjelltas, nëse persona të tjerë përveç autorëve, kanë ndihmuar me të dhëna me vlerë për realizimin e punimit shkencor, apo janë përfshirë në aspekte të rëndësishme të projektit kërkimor dhe përgatitjes së dorëshkrimit, ndihmesa e tyre duhet të njihet me një fusnotë (asteriks) në shkrim ose në seksionin “Mirënjohje”.
NJOHJA E BURIMEVE
Autorëve u kërkohet të citojnë siç duhet, burimet që kanë ndikuar ndjeshëm në kërkimin shkencor dhe në shkrimin e tyre. Të dhënat e marra gjatë një bisedë private ose në korrespondencë me palë të treta për një shkrim dhe materiale të ngjashme, nuk mund të përdoren pa pëlqimin me shkrim të shprehur nga ana e burimit të informacionit.
PLAGJIATURAT
Plagjiatura, konsiderohet në rastet kur dikush merr idetë, fjalët ose shprehjet krijuese të dikujt tjetër ose të tjerëve dhe i mban (konsideron) ato si të vetat, kjo është një shkelje e qartë e etikës shkencore. Gjithashtu, plagjiatura mund të përfshijë edhe shkelje të tjera të ligjit për të drejtën e autorit, të cilat janë të dënueshme me akte ligjore.
Plagjiatura përfshin sa vijon:
Kopjimin fjalë për fjalë, ose pothuajse fjalë për fjalë, ose perifrazim të qëllimshëm të pjesëve të punimit shkencor të një autori tjetër, pa treguar qartë burimin ose pa shënuar fragmentin e kopjuar;
Kopjimin e të dhënave, figurave ose të tabelave nga artikulli i dikujt tjetër pa cituar siç duhet burimin dhe/ose pa lejen e autorit autentik ose mbajtësit të së drejtës së autorit.
Duhet të bëhet kujdes nga ana e autorit/ëve që të gjitha huazimet nga autorë të tjerë, të jenë të kontrolluara paraprakisht dhe plotësisht për plagjiaturë.
Çdo artikull që tregon shenja të dukshme të plagjiaturës, do të refuzohet automatikisht nga ana e redaksisë së revistës. Ky vendim do të mbahet shënim dhe autori/ja, i cili/e cila ka shfaqur probleme të kësaj natyre dhe që paraqet përsëri pranë redaksisë, dorëshkrime të reja, ato do të verifikohen prej redaksisë së revistës me shumë kujdes.
Në rast se plagjiatura zbulohet në një punim, pasi është botuar revista, shkrimi do të tërhiqet në përputhje me procedurën e përshkruar më poshtë nën politikën e “Tërheqjes”.
KONFLIKTI I INTERESIT
Autorët duhet të dëshmojnë në shkrimin e paraqitur prej tyre, çdo konflikt ose interes tjetër thelbësor që mund të ketë ndikuar në rezultatet e paraqitura ose në interpretimin e tyre.
GABIMET NË SHKRIMET E BOTUARA
Kur një autor zbulon një gabim ose pasaktësi të rëndësishme në punën e tij/saj të botuar, është detyrimi i autor/it/es që të njoftojë menjëherë kryeredaktorin ose botuesin e revistës dhe të bashkëpunojë me kryeredaktorin për të tërhequr ose korrigjuar punimin.
Sapo të paraqitet një dorëshkrim, autori/ët bien dakord t'i përmbahen politikave redaktuese të revistës Studime historike.
DETYRAT E RECENSENTËVE
Recensentëve u kërkohet të japin mendime të shkruara, të cilat duhet të jenë kompetente dhe të paanshme dhe të paraqiten në kohën e duhur, mbi meritat dhe vlerat shkencore të artikullit shkencor.
Recensentët vlerësojnë artikullin shkencor për pajtueshmërinë e tij me profilin e revistës, rëndësinë që paraqet tema e artikullit që shqyrtohet, metodat e zbatuara, origjinalitetin e artikullit, rëndësinë shkencore të informacionit shkencor të paraqitur në shkrim, stilin e paraqitjes dhe aparatin shkencor.
Recensentët duhet të njoftojnë Sekretarin shkencor ose Kryeredaktorin për çdo dyshim të bazuar ose për sa janë në dijeni, për shkeljet e mundshme të standardeve etike nga autorët. Recensentët duhet të njohin veprat përkatëse të botuara që nuk janë cituar nga autorët dhe të njoftojnë Sekretarin shkencor ose Kryeredaktorin për ngjashmëritë thelbësore midis një shkrimi të recensionuar dhe ndonjë shkrimi të botuar ose në proces shqyrtimi për botim diku tjetër, në rast se recensentët janë në dijeni për sa më sipër. Gjithashtu, recensentët duhet të njoftojnë sekretarin shkencor ose Kryeredaktorin nëse janë në dijeni, për dorëzim paralel të të njëjtit artikull në një revistë tjetër.
Recensentët nuk duhet të kenë konflikt interesi në lidhje me procesin e kërkimit shkencor të autorit/autorëve dhe/ose me burimet e financimit për kërkimin shkencor që ka lidhje me autorin/ët ose me shkrimin e tij/saj/tyre. Nëse ekzistojnë konflikte të tilla, recensentët duhet t'i raportojnë ato pa vonesë te Sekretari shkencor ose Kryeredaktori. Çdo recensent i përzgjedhur që ndihet i pakualifikuar për të recensionuar hulumtimin shkencor të paraqitur në një artikull ose kur e di se recensionimi i shpejtë i artikullit nga ana e tij/saj mund të jetë i pamundur që të realizohet si duhet dhe në afatin e kërkuar, duhet të njoftojë pa vonesë Sekretarin shkencor ose Kryeredaktorin.
Recensat duhet të realizohen në mënyrë objektive. Kritika personale dhe subjektive ndaj autorit është e palejueshme. Recensentët duhet të shprehin pikëpamjet e tyre në mënyrë të qartë, objektive dhe me argumente mbështetëse.
Çdo shkrimi marrë për recension, duhet të trajtohet si dokument konfidencial. Recensentët nuk duhet të përdorin materiale të pabotuara, që gjenden në dorëshkrimet e paraqitura, pa pëlqimin e shprehur me shkrim të autorit/es/ ose autorëve. Informacioni dhe idetë e paraqitura në shkrimet e paraqitura në redaksi, ruhen në mënyrë konfidenciale dhe nuk duhet të përdoren për përfitime personale.
PROCESI I RECENSIONIMIT
Kontributet e paraqitura në redaksinë e revistës Studime historike, të cilat sipas mendimit të Sekretarit shkencor ose Kryeredaktorit përmbushin kërkesat themelore në lidhje me përmbajtjen dhe formën e tyre, i nënshtrohen më tej, recensionimit nga ana e dy recensionistëve të paanshëm, të pavarur që nuk njihen as me autorin dhe as me njëri-tjetrin dhe as anasjelltas. Qëllimi i recensionimit nga dy studiues të paanshëm të fushës ose periudhës historike që ka lidhje me artikullin shkencor të paraqitur, është që nga njëra anë, të ndihmojë Kryeredaktorin dhe redaksinë në marrjen e vendimeve të tyre, si dhe nga ana tjetër, komunikimi i redaksisë me autorin, mund të ndihmojë gjithashtu autorin në përmirësimin e cilësisë së punimit shkencor.
Zgjedhja e recensentëve është në diskrecionin e Sekretarit shkencor dhe Kryeredaktorit në konsultim me anëtarët e Bordit Editorial. Recensentët duhet të kenë njohuri për fushën dhe periudhën e përmbajtjes së artikullit; do të ishte mirë që ata të mos kishin botime të përbashkëta me ndonjërin prej autorëve. Recensentët nuk kompensohen për punën e tyre.
Sekretari shkencor i dërgon artikullin shkencor, recensentit të zgjedhur, por pa emrin e autorit/autorëve, përkatësinë e tij/saj/ tyre ose ndonjë të dhënë tjetër që mund të zbulojë identitetin e tij/saj/tyre, së bashku me një formular recensionimi të miratuar nga Bordi Editorial i revistës Studime historike. Ky formular përbëhet nga pyetje/çështje që recensenti duhet t’i marrë parasysh në mënyrë që të nxjerrë në dukje elementet e artikullit shkencor, të cilat e shtyjnë në pranimin e këtij artikulli për botim ose në refuzimin e tij. Në bazë të formularit, recensenti sugjeron nëse artikulli duhet të botohet ose jo, me ose pa ndryshime. Gjithashtu, recensenti paraqet në formular se çfarë duhet t’i sugjerohet autorit/es/ ose autorëve të artikullit shkencor. Në këtë formular, ekziston një hapësirë e caktuar, ku recensenti mund të paraqesë sugjerime dhe kundërshtime specifike, të cilat recensenti mund t'ia përcjellë autorit pa zbuluar identitetin e tij/saj. Gjithashtu, edhe identiteti i autorit/es/ëve mbetet i panjohur për recensentët si përpara, gjatë dhe pas përfundimit të recensionit.
Të gjithë recensentët e një artikulli shkencor duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur, si dhe të mos njohin identitetet e njëri-tjetrit. Nëse vendimet e dy recensentëve nuk janë të njëjta, pra, kur njëri pranon dhe tjetri refuzon botimin e një artikulli të caktuar, kryeredaktori mund të caktojë recensentë të tjerë shtesë.
Gjatë procesit të recensionimit, Kryeredaktori mund të kërkojë nga autorët që të japin informacion shtesë (përfshirë të dhëna të dorës së parë), nëse ato janë të nevojshme për vlerësimin e meritës shkencore të një shkrimi shkencor. Këto materiale ruhen në mënyrë konfidenciale dhe nuk mund të përdoren për përfitime personale nga ana e anëtarëve të redaksisë.
Ekipi i redaksisë duhet të sigurojë një kontroll të arsyeshëm të cilësisë për recensat. Në lidhje me mendimet vlerësuese të recensentëve, të cilat janë vënë në dyshim nga autorët, t'i kushtohet një vëmendje e veçantë synimit, për t’u siguruar që vlerësimet e recensentëve të jenë sa më objektive dhe të kenë nivelin e duhur të standardit akademik. Kur ka ndonjë dyshim në lidhje me objektivitetin ose për cilësinë e recensavet, do të caktohen recensentë të tjerë shtesë.
PROCEDURAT E VEPRIMIT NDAJ SJELLJEVE JO ETIKE
Kushdo dhe në çdo kohë, mund të informojë kryeredaktorin dhe/ose stafin e redaksisë, kur dyshohet për sjellje joetike ose për çdo lloj sjelljeje tjetër jo të përshtatshme me standardet e revistës Studime historike, por duke dhënë informacionin apo provat e nevojshme për të filluar një shqyrtim të hollësishëm shkencor për një shkrim të caktuar.
SHQYRTIMI I HOLLËSISHËM SHKENCOR
Kryeredaktori do të konsultohet me Bordin Editorial për vendimet në lidhje me fillimin e një shqyrtimi të hollësishëm shkencor.
Gjatë një shqyrtimi të hollësishëm shkencor, çdo dëshmi duhet të trajtohet në mënyrë tepër konfidenciale dhe të vihet në dispozicion vetëm për ata që janë të përfshirë në këtë çështje.
Autorëve të dyshuar për abuzim, gjithmonë duhet t'i jepet mundësia që t'i përgjigjen çdo kritike apo akuze të ngritur ndaj tyre.
Nëse në fund të shqyrtimit shkencor gjykohet se është kryer një sjellje joetike, atëherë kjo duhet të klasifikohet si një gabim i vogël ose gabim i rëndë.
GABIM I VOGËL
Një sjellje etike e gabuar e një përmase të vogël, duhet të trajtohet drejtpërdrejtë me ata që janë përfshirë, pa angazhuar asnjë palë tjetër, p.sh. si: komunikimi me autorët/recensentët sa herë që ndodh një çështje e vogël që përfshin një keqkuptim ose keqpërdorim të standardeve akademike.
Për një autor ose recensent që demonstron sjellje të parregullta, por të përmasave të vogla, mund t’i dërgohet një njoftim paralajmërues.
GABIM I RËNDË
Kryeredaktori në konsultim me Bordin Editorial, si dhe kur konsiderohet e përshtatshme edhe me ndihmën e një grup të vogël ekspertësh, duhet të marrë çdo vendim në lidhje me mënyrën e veprimit që do të ndërmerret, duke përdorur dëshmitë në dispozicion. Hapat që ndërmerren kur kryhen sjellje të rënda etike janë si më poshtë (këto mund të përdoren veçmas ose së bashku):
Publikimi i një njoftimi zyrtar që përshkruan sjelljen e papërshtatshme etike.
Informimi i drejtuesit të departamentit ose punëdhënësit të autorit (ose recensionuesit) për çdo sjellje jo etike me anë të një letre zyrtare.
Tërheqjen zyrtare, e shpallur e shkrimeve të paraqitura në redaksinë e revistës në përputhje me “Politikën e tërheqjes” (shih më poshtë).
Ndalimi i pranimit për botim të materialeve shkencore të një individi, për një periudhë të caktuar.
Referimi i ndonjë rasti tek një organizatë profesionale ose autoritet ligjor për hetime dhe veprime të mëtejshme.
Kur merret me sjellje joetike, stafi i redaksisë do të mbështetet në udhëzimet dhe rekomandimet e dhëna nga Komiteti për Etikën e Publikimit (COPE): http://publicationethics.org/resources/.
POLITIKA E TËRHEQJES SË NJË SHKRIMI NGA ANA E REDAKSISË
Kufizimet ligjore për botuesit, mbajtësit të së drejtës së autorit/es/ve, lidhen me shkelje të kodeve etike profesionale, të tilla si: paraqitja për botim e të njëjtit shkrim ose paraqitja e tij në të njëjtën kohë në disa ente botuese, pretendime false për autorësinë e shkrimit, plagjiaturë, përdorim në mënyrë mashtruese i të dhënave ose shfaqja e ndonjë sjellje rëndë etike, kërkojnë tërheqjen e një artikulli. Mund të ketë raste kur një tërheqje e një shkrimi mund të bëhet për të korrigjuar gabimet në paraqitje ose botim. Arsyeja kryesore për tërheqjen e një artikulli është korrigjimi i gabimit, duke ruajtur integritetin shkencor, por pa e ndëshkuar autorin.
Standardet për trajtimin e tërheqjeve të shkrimeve, zbatohen nga një numër bibliotekash dhe organesh shkencore, dhe këtë procedurë për tërheqjen e artikujve zbaton edhe revista Studime historike.
POLITIKA E VETË-ARKIVIMIT
Revista Studime historike u lejon autorëve që të depozitojnë versionin e botimit në PDF në një vend ruajtje institucionale dhe jo-komerciale, të cilat merren me këtë lloj fushe studimore, ose ta publikojnë atë në faqen personale të autorit/es (përfshirë faqet e rrjeteve sociale, të tilla si ResearchGate, Academia.edu, etj.) dhe/ose në website të departamentit, në çdo kohë pas publikimit në përputhje me licencën Creative Commons-Attribution në çdo kohë pas publikimit. Informacioni i plotë bibliografik (autorët, titulli i artikullit, titulli i revistës, vëllimi, botimi, faqet) në lidhje me botimin origjinal duhet të sigurohen, duke përfshirë adresën e URL-së të publikimit fillestar dhe një lidhje me DOI -n e artikullit në formën e lidhjes HTML.
E DREJTA E AUTORIT
Pasi shkrimi të pranohet për botim, autori/ët ia transferojnë botuesit të drejtat e autorit. Nëse shkrimi i paraqitur nuk pranohet për botim nga revista, të gjitha të drejtat do të ruhen nga autori/ët.
Autori/ët i japin botuesit të drejtat e mëposhtme për shkrimin, si dhe çdo material shtesë dhe pjesë, ekstrakte ose elemente të tij:
-të drejtën për të riprodhuar dhe shpërndarë dorëshkrimin në formë të shtypur, përfshirë printimin sipas kërkesës;
- të drejtën për të prodhuar parapublikime, ribotime dhe botime speciale të dorëshkrimit;
- të drejtën për të përkthyer dorëshkrimin në gjuhë të tjera;
- të drejtën për të riprodhuar dorëshkrimin, duke përdorur mjete fotomekanike ose të ngjashme, pa u kufizuar në fotokopje, si duke përfshirë edhe të drejtën për të shpërndarë këto riprodhime;
- të drejtën për të riprodhuar dhe shpërndarë dorëshkrimin në mënyrë elektronike ose optike në cilindo dhe në të gjithë mbajtësit/ruajtësit e të dhënave ose në vendruajtje të medias, veçanërisht ato në formë të lexueshme/ të dixhitalizuar apo në bartësit e të dhënave si: hard disku, CD-Rom, DVD, Blu-ray Disc (BD), Mini-Disk, kasetë e të dhënave si dhe të drejtën për të riprodhuar dhe shpërndarë shkrimin nëpërmjet këtyre bartësve të të dhënave;
- të drejtën për të ruajtur dorëshkrimin në bazat e të dhënave, përfshirë bazat e të dhënave në sisetme interneti online, si dhe të drejtën e transmetimit të dorëshkrimit në të gjitha sistemet dhe mënyrat teknike;
- të drejtën për ta vënë dorëshkrimin në dispozicion të publikut ose grupeve të mbyllura të përdoruesve sipas kërkesës individuale, për përdorim në monitorë ose lexues të tjerë (përfshirë librat elektronikë) dhe në formë të printueshme për përdoruesit, qoftë përmes internetit, shërbimeve të tjera online, ose përmes rrjeteve të brendshme ose të jashtme.
Autorët ruajnë të drejtën për të përkthyer kontributin e tyre në një gjuhë tjetër, për ta përdorur atë për qëllime jo-komerciale në botime që lidhen ose përfshihen në punimet e tyre, në disertacionin e doktoratës ose studimin monografik, për sa kohë që mbetet e deklaruar se puna e re rrjedh nga një kontribut i botuar në revistën Studime historike. Autorët i japin institucionit botues, të drejtën që të botojë artikullin, i cili duhet të citohet si botim i tij origjinal në rast të ripërdorimit, si dhe ta shpërndajë atë në të gjitha format dhe mediat. Informacioni i plotë bibliografik (autori/autorët, titulli i artikullit, titulli i revistës, vëllimi, botimi, faqet) në lidhje me botimin origjinal duhet të sigurohen dhe të bëhen një lidhje me DOI-n e artikullit në formën e lidhjes HTML, d.m.th. adresën e URL-së të artikullit fillestar të publikuar.
Palët e treta mund ta përdorin artikullin në një mënyrë që nuk mbulohet nga politika redaksionale dhe licenca Creative Commons-Attribution vetëm nëse ata marrin një pëlqim me shkrim të botuesit dhe kërkesa të tilla duhet të dërgohen në adresën elektronike të redaksisë, [email protected]
MOSPRANIMET NGA ANA E REDAKSISË NË LIDHJE ME SHKRIMET E PARAQITURA
Pikëpamjet e shprehura në shkrimet e botuara në revistë nuk shprehin pikëpamjet e kryeredaktorit, recensentëve dhe të redaksisë. Autorët mbajnë përgjegjësi ligjore dhe morale për idetë dhe përmbajtjen shkencore të pasqyruara në artikujt shkencorë nga ana e autorëve. Botuesi nuk mban asnjë përgjegjësi, në rast të paraqitjes së ndonjë ankese për dëme të shkaktuara ndaj ndonjë pale të caktuar. Botuesi nuk do të mbajë përgjegjës ligjore, nëse ka ndonjë kërkesë për dëmshpërblim apo kompensim për përmbajtjen shkencore të shkrimeve të paraqitura nga autorët.