Udhëzime themelore

Revista Studime historike pranon shkrime dhe kontribute të tjera shkencore të pabotuara, si: artikuj shkencorë, recensa dhe materiale historike), të cilat trajtojnë historinë e shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe të vendeve të tjera të Evropës Juglindore parë në kontekstin e zhvillimeve evropiane dhe botërore.

Artikujt shkencorë mund të dërgohen në gjuhën shqipe ose atë angleze, por me një përmbledhje të shkurtër “Summary” në gjuhën angleze. Artikujt shkencorë nuk duhet të jenë më shumë se 50,000 karaktere, përfshirë fusnotat dhe shtesat e tjera (redaksia rezervon të drejtën të botojë artikuj me përmasa më të mëdha, nëse është e nevojshme).

Teksti i shkrimeve duhet të dorëzohet në MS Word, në llojin e shkrimit Times New Roman, madhësia e fonteve është 12, me hapësirë mes rreshtave 1.5. Fusnotat pasqyrohen pa hapësirë mes rreshtave, madhësia e fonteve të fusnotave është 10.

Të gjitha shkrimet e marra nga redaksia, i nënshtrohen një procesi të recensionimit objektiv sipas procedurës double-blind peer review, nga dy recenstë, të cilët nuk njihen me autorin e shkrimit dhe as autori me recensentët. Për t'u pranuar, dorëshkrimi duhet të konsiderohet i botueshëm nga dy recensentë. Mbështetur në vlerësimet e tyre, Sekretari shkencor i redaksisë informon autorin/ët nëse artikulli i tyre është pranuar; është pranuar me kushtin që  artikulli i tij/i saj/i tyre do t’i nënshtrohet një rishikimi më të hollësishëm nga ana e autorit/ëve ose që  artikulli nuk është pranuar nga redaksia.

Artikulli shkencor i paraqitur, duhet të përmbajë elementët e mëposhtëm të pasqyruar në këtë mënyrë:

- Emri, mbiemri dhe titulli akademik/grada shkencore i/e autor/it/es (në Times New Roman, madhësia e shkronjave 12). Mbiemri i autor/it/ve të shkruhet me shkronja të mëdha. Artikulli shkencor i paraqitur, nuk mund të shkruhet nga më shumë se tre persona.

-Viti i lindjes së autorit duhet gjithashtu të deklarohet, e cila për procedurat e katalogimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

- Emri dhe adresa e institucionit të autorit (madhësia e fontit 12)

- Adresa elektronike e autorit (madhësia e fontit 12)

- Titulli i shkrimit (Times New Roman, font 14, shkronja të mëdha, të theksuara)

- Falenderimet dhe lidhjet e projektit (nëse ka) duhet të vendosen me një fusnotë me yll (asteriks) tek titulli

- Abstrakti ( deri në 300 fjalë, madhësia e shkronjave 11, në gjuhën e shkrimit), e shoqëruar me deri në 7 fjalë kyçe

- Teksti i shkrimit, duhet të jetë i shkruar në Times New Roman, madhësia e shkronjave 12. Teksti mund të përfshijë kapituj dhe nënkapituj, me tituj në italik, madhësi fonti 12

- Fusnotat (Times New Roman, font 10, hapësirë e vetme), të formatuara në stilin e Çikagos

- Lista e titujve bibliografikë ose referencave (sipas rendit alfabetik, pa burime arkivore), madhësia e shkronjave 12, e formatuar në stilin e Çikagos

- Përmbledhje (rezyme) në gjuhën angleze në fund të shkrimit, duke përfshirë emrin e autorit dhe titullin e dorëshkrimit, (madhësia e fontit 11, jo më shumë se 2.000 karaktere)

- Fjalët kyçe të shkrimit në gjuhën angleze (deri në 7 fjalë, madhësia e shkronjave 11)

-Tabelat, grafikët, fotografitë dhe shtesat e tjera duhet të vendosen në një pozicion të përshtatshëm në tekst dhe të shoqërohen me një numër rendor sipas figurave dhe me një përshkrim informues të shkurtër.

-Shkrimet që nuk përmbajnë këto elemente, nuk do të merren për shqyrtim.

Udhëzime më të hollësishme në lidhje me mënyrën e citimit të burimeve dhe të literaturës paraqiten më poshtë. Ato i përkasin edicionit 16 të Manualit të stilit të Çikagos.

Shkrimet duhet të dërgohen në formë elektronike në adresën e e-mailit të revistës [email protected]

UDHËZIME PËR PARAQITJEN E REFERENCAVE SIPAS STILIT CHICAGO

  1. Referencat:

Referencat vendosen në fund të çdo faqeje (në numër progresiv për gjithë artikullin).

  1. Referimi i burimeve arkivore

Kur autorët u referohen burimeve arkivore, duhet të ndiqen rregullat dhe rekomandimet e arkivave përkatës. Ne ju këshillojmë të citoni nga e përgjithshmja në të veçantën (nga arkivi, koleksioni i tij dhe nën koleksioni në një kuti, njësi arkivore, dosje dhe faqe). Për t’iu referuar një arkivi duhet:

- Të shkruhet i plotë emri që mban ky arkiv. Emri i plotë i arkivit dhe koleksionit duhet të deklarohet kur përmendet për herë të parë dhe më pas ndiqet nga shkurtimi i tij me germa italike;

- Fondi me emrin përkatës ose me shifrën, viti, dosja, fleta. Sqarimi për dokumentin.

P.sh.: Arkivi Qendror Shtetëror i Republikës së Shqipërisë (më tej: AQSh), Fondi (më tej: F.): KQ i PPSh, viti (më tej: V.) 1987, dosja (më tej: D.) 2, fl.33. Letër drejtuar ...

Vijon:

AQSh, F. KQ i PPSh, V. 1987, D. 2, fl.33. Letër drejtuar ...

Në rastin kur është përkthim saktësohet nga cili arkiv është marrë si dhe emri i përkthyesit.

  1. Referimi i monografive ose i librave

- Kur referojmë një libër duhet të shkruajmë emrin dhe mbiemrin e autorit ose emrat dhe mbiemrat e autorëve (në fillim emri shkruhet i plotë dhe kur përmendet më pas vendoset iniciali i emrit dhe mbiemri i plotë);

- Vendoset titulli i librit me germa italike, emri i botuesit ose i përkthyesit (nqs ekzistojnë), numri i vëllimeve, botimi i përdorur (nqs nuk është i pari), publikuesi (emri i institucionit që e publikon), vendi, shtëpia botuese, data e botimit, numri i faqeve.

-Të gjitha këto të dhëna ndahen me presje.

P.sh.: Selami Pulaha, Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek.XV-XVI, vëll.I, Tiranë: 8 Nëntori, 1984, f. 3.

  1. Referimi nga libri elektronik

Nëse libri është i disponueshëm në disa formate, versioni i përdorur në kontribut duhet të referohet. Në bibliografi mund të thuhet se libri është i disponueshëm edhe në formate të tjera.

Vendoset emri dhe mbiemri i autorit, titulli i librit (Vendi i botimit: Botuesi, Viti), http: // adresa (data e qasjes së fundit).

  1. sh.: Selami Pulaha, Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek.XV-XVI, vëll.I, Tiranë: 8 Nëntori, 1984,

http://www.botime të vjetra.com/botime-elektronike/detail-item_76 (shikuar më 15. 06. 2020)

  1. Referimi i artikujve të revistave dhe gazetave:

Kur referojmë një artikull reviste apo gazete duhet të shkruajmë emrin dhe mbiemrin e autorit/autorëve, pastaj titullin e artikullit në thonjëza, më pas emrin e revistës/gazetës me gërma italike, numri i volumit me gërmë romake, numri i botimit, viti i botimit, numri i faqes. Të gjitha këto të dhëna duhet të ndahen me presje nga njëra-tjetra.

P.sh.: Koço Bozhori, “Vëzhgime rreth shtrirjes së emërtimit Arbanon në kohën bizantine”, në Studime historike, vëll.I, nr. 2, Tiranë: 1972, 135.

  1. Referimi nga enciklopedi, buletine dhe disertacione të pabotuara:

Referimi i një artikulli pa emër autori, i cituar nga enciklopeditë/ buletinet: vendoset titulli i artikullit në thonjëza, enciklopedia/buletini me italike, vëllimi, numri, vendi, viti, faqe.

P.sh.: “Shqiptarët në feudin e Deçanit në vitet e tridhjeta të shek.XIV, sipas Krisobulës së Deçanit”,  Buletini i Fakultetit Filozofik, nr.XI, Prishtinë: 1974, 256.

Kur referojmë një artikull me emër autori i cituar nga enciklopeditë/ buletine: emri dhe mbiemri i autorit, titulli i artikullit në thonjëza, enciklopedia/buletini me italike, vëllimi, numri, vendi, shtëpia botuese, viti, faqe.

P.sh.: Muhamet Tërnava, “Shqiptarët në feudin e Deçanit në vitet e tridhjeta të shek.XIV, sipas Krisobulës së Deçanit”,  Buletini i Fakultetit Filozofik, nr.XI, Prishtinë: Toena, 1974, 256.

Citimi i një teze ose disertacioni të pabotuar: Vendoset emri dhe mbiemri i autorit, titulli i tezës në thonjëza, në kllapa shkruhet fjala i pabotuar, Departamenti ku mbrohet, Universiteti, viti kur është mbrojtur), faqja.

P.sh.: Muhamet Tërnava, “Shqiptarët në feudin e Deçanit në vitet e tridhjeta të shek.XIV, sipas Krisobulës së Deçanit”,  (i pabotuar, Departamenti ..., Universiteti i Tiranës, 1992) 256.

  1. Citimi nga një komunikim privat

- Kur citimi është i shkruar në letër, të saktësohet vendi ku ruhet apo ndodhet;

- Kur citimi është marrë nga një bisedë (në CD, kasetë apo video), të saktësohet data dhe vendi ku ruhet.

Rregulla të tjera:

Kur një libër, revistë ose artikull është përmendur në referencat e mëparshme (i plotë), në vijim përmendet vetëm iniciali i emrit të autorit dhe mbiemri, fjalët e para të titullit të ndjekura me tri pika, pa përmendur revistën apo veprën nga është marrë dhe numrin e faqes.

Rasti i plotë:

P.sh.: Muhamet Tërnava, “Shqiptarët në feudin e Deçanit në vitet e tridhjeta të shek.XIV, sipas Krisobulës së Deçanit”,  Buletini i Fakultetit Filozofik, nr.XI, Prishtinë: 1974, 256.

Rasti i shkurtuar:          

  1. Tërnava, “Shqiptarët në feudin e Deçanit ...”, 256.

Në rastin kur është përmendur menjëherë më lart thuhet po aty me gërma italike (kur është vepër), dhe në thonjëza (kur është artikull) dhe numri i faqes.

Rasti i plotë:

P.sh.: M. Tërnava, “Shqiptarët në feudin e Deçanit në vitet e tridhjeta të shek.XIV, sipas Krisobulës së Deçanit”,  Buletini i Fakultetit Filozofik, nr.XI, Prishtinë, 1974, 256.

Kur përsëritet shkruhet:

Po aty, 32.

Për të cituar përdoren thonjëzat. Nëse fjalët ose frazat janë kapërcyer duhen zëvendësuar me tri pika (...). Nëse fjalët e shtuara nuk janë në tekstin origjinal, pra, janë shtuar nga autori, ato duhen vendosur në kllapa katrore [  ]. Citimi i tekstit duhet bërë si në origjinal. Nëse ka gabim në tekstin origjinal fjala “siç” vendoset djathtas në parantezë (siç}, në kuptimin që kjo është vendosur si në origjinal. Në rastet kur në citime bëhen nënvizime nga autori, në kllapa vendoset shënimi (nënvizimi i aut.).

Shënimet sqaruese, komentuese bëhen me yje progresive për çdo faqe.

  1. II. Bibliografia:

Renditja bibliografike bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrave të autorëve, i ndarë me presje nga emri, i ndjekur nga artikulli në thonjëza, vepra nga është marrë me gërma italike, vendi i publikimit, emri i publikuesit dhe koha e publikimit (viti).

P.sh.: Tërnava, M. - “Shqiptarët në feudin e Deçanit në vitet e tridhjeta të shek.XIV, sipas Krisobulës së Deçanit”,  Buletini i Fakultetit Filozofik, nr. XI, Prishtinë: Toena, 1974.