Main Article Content

Abstrakti

Studimi i historisë së qyteteve shqiptare gjatë Mesjetës ashtu si
shumë tema të tjera që kanë lidhje me këtë periudhë mbetet si një
domosdoshmëri për studiuesit e kësaj fushe. Studimet e deritanishme janë
të përqendruara kryesisht në lidhjet ose marrëdhëniet ushtarake e politike
të shqiptarëve gjatë kësaj periudhe me shtetet përreth. Aspekt i cili
plotëson anën e jashtme të kornizës. Ndërsa studimi i qyteteve në vetvete
do të nxirrte në pah edhe shumë elementë të tjerë me rëndësi të madhe sa
i përket gjendjes ekonomike, politike, sociale, demografike, kulturore e
fetare të hapësirës shqiptare gjatë këtyre shekujve.
Zhvillimet gjatë shek. XV dhe pushtimi i Shqipërisë nga ushtritë
osmane solli ndryshime rrënjësore tek shqiptarët si në aspektin
administrativ, ashtu edhe në atë ekonomik e kulturor. Njëri ndër impaktet
më kryesore të periudhës së pushtimit ishte ai mbi zonat e banuara e
kryesisht qytetet. Kështu, shumë qytete e kështjella të zhvilluara siç mund
të përmendet Drishti, Deja, Sfetigradi e qendra të tjera u shkatërruan dhe
shumë fshatra u braktisën masivisht nga banorët e tyre. Ngjarjet në fjalë
do të sjellin një ndërprerje të zhvillimit të qyteteve e veçanërisht të
ekonomisë të cilat do ta nisin ringritjen e tyre vetëm pas një shekulli.
Rrënimi apo braktisja e shumë zonave të banimit nga ana tjetër do të
sjellë ndërtimin e zonave të reja të banimit apo zhvillimin e atyre
ekzistuese në bazë të nevojave të pushtuesit. Një shembull i mirë i këtij
aspekti është dhe rindërtimi i fortesës së rrënuar që gjendej afër lumit
Shkumbin, një pikë e rëndësishme strategjike mbi rrugën e famshme
Egnatia.

Article Details

How to Cite
Caka, Eduart. 2024. “Vakëfet Dhe Funksioni I Tyre Në Qytetin E Elbasanit Gjatë Shekullit XVII”. Studime Historike, no. 1-2 (December). https://doi.org/10.61773/wr4nds78.

How to Cite

Caka, Eduart. 2024. “Vakëfet Dhe Funksioni I Tyre Në Qytetin E Elbasanit Gjatë Shekullit XVII”. Studime Historike, no. 1-2 (December). https://doi.org/10.61773/wr4nds78.

Share