Main Article Content

Abstrakti

Krahas revistave të njohura shkencore, kulturore e letrare, që filluan
të dalin në Prishtinë “Përparimi” dhe “Jeta e re”, pas Luftës së Dytë
Botërore, një vend me rëndësi zë edhe revista “Gjurmime albanologjike”.
Në fakt, kjo revistë rrugëtimin e filloi nga viti 1962, kur edhe u botua
numri i parë, që asokohe ishte organ i Katedrës së Albanologjisë të
Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Kryeredaktori i parë i kësaj reviste ishte
profesori i nderuar Idriz Ajeti, ndërsa redaksia përbëhej nga Ali Hadri,
Enver Gjerqeku, Shefqet Pllana dhe Idriz Ajeti. Pra, kjo revistë shkencore
filloi të botohej dy vjet pas hapjes së Fakultetit Filozofik në Prishtinë më
1960. Shkrimet në këtë revistë botoheshin në dy gjuhë: në shqip dhe në
serbisht. Punimet në numrin e parë, ishin nga fusha e gjuhësisë, historisë
dhe folklorit. Ato shoqëroheshin edhe me nga një rezyme në gjuhë të huaj
si: gjermanisht, frëngjisht e rusisht. Në numrin e parë me punime
kontribuuan studiuesit e vendit, si: Idriz Ajeti, Hasan Kaleshi, Ali Hadri,
Shefqet Pllana, Hilmi Agani, Anton Çetta, Haxhi Krasniqi e Syrja
Pupovci dhe të huaj, si: Danilo Barjaktarevic, Miodrag Šijakovic, Mirko
Barjaktarevic, P.Ž. Petrovic, Dragutin Micovic, Milan Budimir dhe
Milivoj Pavlovic. Numri i parë i kësaj reviste u shtyp në shtypshkronjën “Rilindja” në Prishtinë. Revista nuk u botua rregullisht. Në vitin 1965 u
botua një vëllim, numri 2, në vitin 1966 doli një vëllim, numri 3 dhe me
dy emra të rinj në redaksi, Mark Krasniqin dhe Vojislav Dancetovicin.
Me rastin e rithemelimit të Institutit Albanologjik, më 1967, revista
filloi të botohet si organ i këtij institucioni. Në vitin 1968, u botuan dy
numra të kësaj reviste, me kryeredaktor Idriz Ajetin, ndërsa anëtarë të
redaksisë ishin: Mark Krasniqi, Hasan Kaleshi, Fehmi Agani, Rexhep
Qosja, Zekeria Cana dhe Idriz Ajeti.5 Me të njëjtin staf të redaksisë u
botuan edhe dy numra në vitin 1969. Në vitin 1970 doli në dritë botimi
tjetër, i cili përmbante dy numra (1 dhe 2), ndërkohë që në përbërje të
redaksisë u shtuan edhe dy emra të rinj, Syrja Pupovci dhe Jashar
Rexhepagiqi. Nga viti 1971, revista profilizohet në tri seri: “Gjurmime
albanologjike” - seria e shkencave gjuhë dhe letërsi, seria e shkencave
folklor dhe etnologji si dhe seria e shkencave historike.
Gjatë periudhës 1962-1970, kemi vetëm një studiues nga Shqipëria,
Androkli Kostallarin, i cili prezantohet me punimin “Rruga e formimit të
gjuhës sonë të përbashkët letrare”, në numrin 2 të vitit 1969.
Ka disa arsye që na kanë shtyrë t’i bëjmë një vështrim kësaj
ndërmarrjeje shkencore, por dy janë më kryesoret:
Së pari, është revista e parë shkencore te shqiptarët e ish Jugosllavisë
që merret ekskluzivisht me studime albanologjike pas Luftës së Dytë
Botërore dhe e botuar nga një institucion shkencor; dhe së dyti, kjo
revistë këtë vit mbush pesëdhjetë vjet nga profilizimi i saj, siç e theksuam
edhe më lart.

Article Details

How to Cite
Ahmeti, Nuredin. 2024. “50 Vjet ‘Gjurmime albanologjike’ - Seria E Shkencave Historike”. Studime Historike, no. 3-4 (December). https://doi.org/10.61773/dgygme58.

How to Cite

Ahmeti, Nuredin. 2024. “50 Vjet ‘Gjurmime albanologjike’ - Seria E Shkencave Historike”. Studime Historike, no. 3-4 (December). https://doi.org/10.61773/dgygme58.

Share