Main Article Content
Abstrakti
Studimi mëton një vëzhgim linear të ecurisë historike, përgjatë viteve
1943-1944, të njësisë partizane me emrin “Antonio Gramsci” në
Shqipërinë e Luftës II Botërore. Synohet kësisoj, përpos renditjes
tekstuale të fakteve të grumbulluara përmes dokumentacionit, të jepet
edhe një kuadër më i gjerë shpjegues i zhvillimeve dhe i nyjeve
politike rrethanore që çuan në formimin, e mandej shfrytëzimin sa
ideologjik aq dhe teknik-ushtarak, të pranisë së një grushti
nënoficerësh italianë në një luftë të huaj për ata vetë. Një pikë shumë
e rëndësishme në këtë çështje, e që merr në studim një vëmendje të
veçantë, është orvatja e partizanëve shqiptarë për t’i dhënë vlerë
ideologjike “konvertimit” të italianëve, nga pjesëtarë të një ushtrie që
përftohet si pushtuese (pos të qenit fashiste) në vijues të një
“internacionalizmi” antifashist. E nevojshme në këtë drejtim duket se
ishte vetë edukimi antifashist i këtyre trupave të rishta, operacion jo
fort i lehtë e që i shtohej barrës që kishin italianët, të cilët, edhe për
sa i përket përgatitjes teknike, u gjendën shpesh në skenarë të
paparashikueshëm për ta, të pastërvitur siç ishin me një luftë
thelbësisht guerile.
