Main Article Content
Abstrakti
Treva iliro-shqiptare e vendosur mes Lindjes ortodokse dhe
Perëndimit katolik ishte hapësirë ku u zhvilluan rivalitetet e përhershme
brendafetare. Si pasojë e këtyre zhvillimeve shqiptarët e atëhershëm u
ndanë në dy rite të krishtera, katolike e ortodokse, me përhapje më të
madhe të së dytës. Ata u bënë protagonistë të këtyre ngjarjeve fetare
shumë më përpara fqinjëve të ardhur sllavë, bullgarëve apo serbëve, të
cilët krishterimin e pranuan shumë vonë (shek. IX dhe X), kur tradita e
krishterë shqiptare kishte kaluar një rrugë të gjatë. Popullsia iliroshqiptare,
pavarësisht rivaliteteve fetare brendakrishtere, ruajti identitetin
e saj etnik. Ky identitet shqiptar u ruajt edhe në rrethanat e vështira
pasbizantine, kur shqiptarët u përfshinë në procesin e gjatë të konvertimit
në islam, dhe kur tabloja fetare e shqiptarëve u bë më specifikja ndër
popujt e Ballkanit.
