Main Article Content
Abstrakti
Ngjarjet e pranverës së vitit 1914, të njohura ndryshe, si kryengritja e Shqipërisë së Mesme, kanë qenë edhe më parë objekt studimi. Të nxitur fillimisht nga pakënaqësia, se Vidi, me të drejtë duhej ta trajtonte më mirë problemin e fshatarësisë, ajo e shndërrua në lëvizje të dhunshme dhe me tipare të qarta politike. Ndonëse u mendua se kjo lëvizje u drejtua kundër Princit të krishterë, në vetvete ajo u drejtua kundër Shqipërisë. Por edhe nëse tentohet të shpjegohet me luftën kundër bejlerëve dhe imperializmit të Fuqive të Mëdha, kjo është më pak e besueshme. Niveli politik i shqiptarëve, në kohën kur u zhvillua kjo lëvizje dhe i fshatarësisë në veçanti, nuk lë shumë vend për këtë argument. Sidoqoftë, ky parashtrim përpiqet të sjellë një këndvështrim të ri të mbështetur në burime të reja, të cilat hedhin poshtë idenë se kjo ishte një lëvizje popullore dhe përparimtare. Në prag të shpërthimit të kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, shoqëria shqiptare, ndahej në disa grupime.
